Sport

Busquets afër transferimit te Inter Miami


Sergio Busquets është duke i shijuar momentet e fundit me kombëtaren e Spanjës në Kupën e Botës, por siç duket ai do t’i përjetojë edhe momentet e fundit me klubin e Barcelonës.

Sipas asaj që raportojnë mediat spanjolle, Busquets do ta luajë vetëm edhe gjysmën e këtij sezoni me fanellën e Barcelonës, pasi që ai do të transferohet në futbollin amerikan, MLC.

Sipas mediave në Spanjë, 34-vjeçari ka arritur marrëveshje me klubin e David Beckham-it, Inter Miami-n.

Raportohet se për lojtarin e Barcelonës është gati një kontratë e vlefshme për dy sezone dhe marrëveshja është pranë.

Pra, kontrata e tij me Barcelonën përfundon në qershor të vitit të ardhshëm dhe ai nuk do të vazhdojë të jetë pjesë e klubit katalanas.

Busquets e kaloi një jetë të tërë në klubin e Barcelonës. Ai është produkt i akademisë së klubit “blaugrana”, derisa pjesë e ekipit të parë u bë në verën e vitit 2008.

Që nga ajo kohë, Busquets ka regjistruar 696 paraqitje me fanellën e Barcelonës, prej të cilave ka shënuar edhe 18 gola.

Me fanellën e Barçës, Busquets ka fituar shumë tituj, në mesin e tyre edhe tre herë Ligën e Kampionëve dhe tetë herë La Liga-n.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore