Lajme

Bursa për (mos)shkollim


Arberie Nagavci

Ish-ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Hykmete Bajrami, të premten që shkoi në seancën e Kuvendit të Kosovës ka polemizuar ashpër me ministren aktuale të arsimit, Arbërie Nagavcin, në lidhje me një vendim të kësaj të fundit për dhënien e disa bursave në një kolegj në Greqi.

Bajrami e ka akuzuar Nagavcin për rilidhjen e një marrëveshje me kolegjin City College në Greqi, që sipas ish-ministres është për katër herë më i dobët në rangimin ndërkombëtar se sa Universiteti i Prishtinës.

Sipas Bajramit, “City College, që deri në vitin 2020 ka përdorur emrin Universiteti i Sheffiled-it”, tani nga viti 2020 ka bërë marrëveshje me “Universitetin e York-ut”,  dhe radhitet 8 mijë 957 pozita më poshtë se Universiteti i Prishtinës.

“City College sipas Webometrics është i ranguar në pozitën 11mijë e 979-të, derisa Universiteti i Prishtinës është i ranguar në pozitën 3 mijë e 22-të.  Për pak kontekst, “City College” është për 8 mijë e 957 pozita më poshtë se Universiteti i Prishtinës”, ka thënë ajo.

Kurse, ministrja Nagavci i ishte përgjigjur Bajramit, duke e arsyetur këtë vendim me dhurimin e bursave për universitetet jashtë vendit.

“Keqpërdorimet në të kaluarën kanë qenë nga stafi i ministrisë që kanë qenë të lidhur ngushtë me politikën dhe kanë përfituar, kësaj radhe nuk kemi lejuar dhe që ndonjë punëtorë do të ketë ndonjë konflikt interesi për të përfituar nga mundësia e shpërndarjes së bursave”, i ka repikuar Nagavci.

Albanian Post ka kontaktuar me njohës të çështjes së arsimit në Kosovë. Ata kanë thënë se bursa për studime jashtë vendit nuk kanë vlerë nëse jepen për universitete më të dobëta se sa ato të Kosovës.

Profesori i Universitetit të Mitrovicës, Përparim Gruda, vlerëson se studentët duhet të dërgohen në ato universitete që rangohen më lartë se UP-ja.

Madje, Gruda e konsideron abuzim me paranë publike,  dhënien e bursave për studentët që studiojnë në universitetet më të dobëta se UP-ja.

“Nëse ndodh që jepen bursa për të studiuar ne universitete jashtë vendit të cilat janë më poshtë në rangim ndërkombëtar së UP-ja, kjo nuk ka asnjë kuptim dhe paraqet abuzim me paranë publike”, ka thënë ai.

Sipas tij, meqë qëllimi final i këtyre bursave është rritja e cilësisë së shkollimit universitar të shoqërisë kosovare, “nëse jepen bursa për studime në universitetet më të dobëta se UP-ja ky qëllim i bie të mos arrihet. Pra, humben para kot”.

“Kur një universitet i një vendi tjetër renditet më poshtë se UP i bie të jetë një universitet shumë i dobët për të cilin shteti por as familjet tona nuk ia vlen të harxhojnë paratë për të paguar studimet aty të kujtdo qoftë”, sqaron Gruda.

Ndërsa, studiuesi Shkodran Ramadani ka vlerësuar se bursat janë të nevojshme dhe se kjo praktik duhet të vazhdojë.

“Derisa universitetet ku ata dhe ato vijojnë studimet janë të akredituara prej shtetit….besoj që duhet të vazhdojë bursimi”, ka thënë Ramadani.

Ai vlerëson se “rritja e cilësisë së universiteteve bëhet duke respektuar më shumë kriteret dhe standarde bashkëkohore të akreditimit e jo duke ndalur bursat e studenteve”.

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, në të shkuarën e ka pasur si praktikë që brenda një viti t’i ndajë dhjetë bursa të plota studimi tek Universiteti i Sheffield-it, për nivelin bachelor dhe po aq për nivelin master.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore