Lajme

Burrat amerikanë po kryejnë vazektomi pas rrëzimit të “Roe kundër Wade”


Shawn kurrë nuk ka dashur fëmijë.

32-vjeëari, IT dhe peshëngritës amator që jeton në Florida, kishte menduar prej kohësh një vazektomi.

Kur ai u takua me të fejuarën e tij dhe mësoi se edhe ajo nuk dëshironte fëmijë ngjashëm si ai, çështja u zgjidh.

Ai ishte “90 për qind i sigurt”.

Por përmbysja nga Gjykata Supreme e vendimit historik “Roe kundër Wade” dhe debatet mbarëkombëtare lidhur me aksesin ndaj abortit, ishin shtysa e fundit që i nevojitej.

Shawn e rezervoi operacionin me një urolog lokal në Lutz, Florida, i cili e ka kryer procedurën dhjetëra mijëra herë dhe është i njohur në rajon si “mbreti i vazektomisë”.

Nga konsultimi deri te vetë operacioni, sprova ishte krejtësisht pa dhimbje për të.

Ai është një nga shumë burra amerikanë që kanë marrë kontrollin e shëndetit të tyre riprodhues, pasi miliona gra amerikane janë hequr nga kjo e drejtë.

Që kur projektvendimi për rrëzimin e vendimit u zbulua në maj, të dhënat kanë treguar një rritje të madhe në numrin e kërkimeve të përditshme në internet në lidhje me vazektomitë.

“Ka një rritje përfundimtare te meshkujt që eksplorojnë vazektomitë”, ka treguar doktor Alex Shteynshlyuger, një urolog i New York-ut.

“Vendimi i Gjykatës Supreme ka nxitur shumë biseda për kontracepsionin në përgjithësi, si dhe për rritjen e ndërgjegjësimit për vazektominë si një metodë efektive, me kosto të ulët, të sigurt dhe të përhershme të kontracepsionit që u jep meshkujve kontrollin mbi riprodhimin e tyre”, ka shtuar ai.

Sipas  Shteynshlyuger, në javët pas vendimit historik, zyra e tij në qendër të Manhatan-it ka parë një rritje të dukshme të pyetjeve të lidhura me vazektominë.

Në një javë normale, ai do të kishte mesatarisht rreth 15 telefonata konsultimi. Në javën e fundit të qershorit, pas vendimit të 24 qershorit, ai ka marrë 72 kërkesa.

Barbara Nielsen, një zëdhënëse me një institut urologjik në Idaho, ka konfirmuar se zyrat e saj kanë parë 60 për qind më shumë konsultime vazektomie në muajin e kaluar.

Pasi perceptoheshin si drastike dhe të pakthyeshme, operacionet e vazektomisë tani janë të thjeshta, rutinë dhe relativisht pa dhimbje.

Sakaq, urologët flasin për procedura “pa gjilpërë, pa bisturi”.

Arsyetimi që i jep Shawn zgjedhjes së tij është shumë praktik.

Ai ishte i shqetësuar se ndalimet më të gjera të kontracepsionit mund të pasonin pas rrëzimit të vendimit për ndalimin e abortit.

Marrë nga “The Guardian”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore