Lajme

“Burgu”


Aktivitet simbolik “Burgu” para Zyrës së BE-së.

Sërish para zyrës së Bashkimit Evropian në Prishtinë, organizata Lëvizje për Demokraci ka mbajtur një aktivitet simbolik të quajtur “Burgu”, me hartën e Kosovës për të kundërshtuar mosliberalizimin e vizave.

Drejtuesi i kësaj organizate, Mexhid Ramusa tha se duan t’i tregojnë Bashkimit Evropian se si po e mbanë të izoluar padrejtësisht Kosovën.

“Përmes këtij aktiviteti simbolik, duam t’i tregojmë Bashkimit Evropian se si po na mban të izoluar padrejtësisht. Ne si popull nuk kemi asnjë faj të mbetemi të izoluar në kësi lloj burgu. Ne jemi edhe të vrarë e të masakruar, por edhe të izoluar. Në këtë aktivitet, këtë ‘burg’ siç po e quajmë, do ta dërgojmë edhe para Zyrës së Bashkimit Evropian në Bruksel”, theksoi Ramusa.

Ai kërkoi përgjigje në pyetjen se “pse BE na mban të izoluar”?

“Ne i kemi plotësuar të gjitha kriteret. Nëse Bashkimi evropian i promovon vlerat e demokracisë, atëherë pse neve po na mban të izoluar, a nuk quhet kjo racizëm?”, tha Ramusa.

Edhe me 24 qershor, një numër i qytetarëve protestuan në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë, e deri tek sheshi “Skenderbeu” me kërkesën që të liberalizohen vizat për Kosovën.

“Free Visa for Kosova”, ishte motoja e kësaj proteste drejtuar Bashkimit Evropian.

Qytetarët dolën për të protestuar me biçikleta, duke mbajtur në duar flamurin e Kosovës, i rrethuar me tela gjemborë, për të treguar “Kosovën e izoluar”.

Historik i rrugëtimit të Kosovës drejt Liberalizimit të Vizave – 1 dekadë pritje, apo më shumë

Kosova mbetet i vetmi vend në Evropë, që ende nuk mund të lëvizë pa viza nëpër vendet e Bashkimit Evropian.

Sa u përket vendeve të Ballkanit Perëndimor, qytetarët e Malit të Zi, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut mund të udhëtojnë pa viza që nga dhjetori i vitit 2009. Për qytetarët e Shqipërisë dhe Bosnjë-Hercegovinës, lëvizja pa viza u bë e mundur që nga fundi i vitit 2010.

Samiti i Bashkimit Evropian, i cili u mbajt në Bruksel më 23 qershor, mblodhi liderë, jo vetëm evropianë. Ai i parapriu një takimi të krerëve të shteteve dhe qeverive të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor.

 

Obelisku “NewBorn” i transformuar në “No Walls”

Si pjesë e të fundit, Shqipëria dhe Kosova janë të pranishme së bashku, por me narrativë tërësisht të ndryshme.

E megjithatë, një element i vetëm i bashkon: Pritja!

Dy janë rrugëtimet e gjata dhe të lodhshme që bashkojnë Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, me Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.

Njëra në pritje dhe me kërkesë për liberalizimin e vizave dhe tjetri tashmë pothuaj i dorëzuar përballë pafuqisë së Unionit për të hapur negociatat.

Me “na leni të hyjmë brenda”, e ka përfunduar fjalimin presidentja Osmani në Samit. Ndërkohë, u ka kërkuar anëtarëve të BE-së që të reflektojnë e t’ia liberalizojnë vizat Kosovës.

500 mijë familje kosovare jetojnë dhe punojnë në Gjermani dhe Zvicër dhe kanë pasaporta të BE-së.

100 mijë familje të tjera jetojnë në Mbretërinë e Bashkuar si pjesë e diasporës. E po të bëjmë një llogari të shpejtë, do të shohim që numri i të rriturve të cilët janë në pritje të një vendimi evropian për lëvizjen e tyre të lirë në kontinent nuk i kalon 350 mijë. Aq sa janë turistët ditorë në Paris.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore