Lajme

Burg për publicisten kineze pas kritikave mbi Pekinin


Është dënuar me tre vjet burgim publicistja kineze Geng Xiaonan, e cila ngriti zërin për disidentët akademikë kinezë dhe publikoi libra të jashtëligjshëm në Kinë.

Xiaonan, 46 vjeçe, dhe bashkëshorti i saj, Qin Zhen, u arrestuan në shtator të vitit 2020, pas akuzave se kishin publikuar mijëra libra të jashtëligjshëm në Kinë.

Vetë Geng, i pranoi akuzatdhe mori përgjegjësi të plotë për akuzat. Kërkesa e saj ishte që bashkëshorti të lihej jashtë gjykimit.

Procedimi në gjykatë u transmetua drejtpërdrejt dhe mbi 80 mijë njerëz po e ndiqnin. Kjo, deri në çastin kur transmetimi u ndërpre nga mediat lokale kineze.

Shumë mbështetës të Geng ndërkohë, u ndaluan nga pjesëmarrja në gjykim. Lajmin e bëri të ditur e përditshmja kineze, The South China Morning Post.

Vitin e shkuar, Geng kishte folur në mbështetje të një profesori kinez, i cili kishte kritikuar Partinë Komuniste Kineze dhe presidentit Xi Jinping. Profesori Xu Zhangrun, ishte ndaluar për gjashtë ditë nga policia kineze, në korrik të vitit të kaluar.

Zhangrun, pas arrestimit të Geng vitin e shkuar, deklaroi se ajo ishte arrestuar për një krim që nuk e kishte kryer. “Autoritetet po e përndjekin atë duke përdorur akuza mbi operacione të jashtëligjshme të biznesit të saj”, theksoi ai.

Nga organizatat për mbrojtjen e të drejtave të njeriut ndërkohë, është ngritur kauza mbi arrestimin e Geng. Sipas tyre, ajo po përpiqej të rriste ndërgjegjësimin mbi zhdukjen e gazetarit kinez, Chen Qiushi. Akuzat e Geng, binin mbi kriminalizimin e qeverisë kineze.

Ka pasur një sërë arrestimesh nga Pekini zyrtar, për kritikët e politikave të ndjekura. Ndërkombëtarët kanë qenë gjithashtu të shqetësuar mbi zhdukjen apo arrestimet e gazetarëve të shumtë në Kinë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore