Sport

Bundesliga/ Wolfsburg-u ngjitet në krye, bie Dortmund-i


Kanë përfunduar pesë ndeshje në Bundesliga, ku bie në sy humbja e Borussia Dortmund-it dhe fitorja e Wolfsburg-ut.

Dortmund-i u mund nga Freiburg-u, në fushën e këtyre të fundit me rezultatin 2-1. Goli i parë i takimit erdhi nga vendasit që në minutën e 6 më anë të Vincenzo Grifo-s.

Në minutën e 53 vendasit dyfishuan rezultatin me Roland Sallai-n. Në të 59 minutë, Dortmund-i ngushtoi diferencën pas autogolit të Yannik Keitel-it, por nuk mundi të ndryshojë rezultat në minutat në vazhdim. Freiburg-u merr fitoren e parë për këtë sezon, ndërsa Dortmund-i humbjen e parë.

Wolfsburg-u fiton me përmbysje 2-1 ndaj Hertha Berlin-it, në fushën e këtyre të fundit. Fillimisht shënoi Dodi Lukebakio në minutën e 60 me penallti, golit të cilit iu përgjigjen golat e Ridle Baku-s në minutën e 73 dhe Lukas Gerhardt në të 88.

Wolfsburg-u numëron dy fitore në dy ndeshjet e para për këtë sezon dhe ngjitet në krye renditjes së kampionatit. Hertha është skuadra e vetme pa asnjë pikë pas dy ndeshjeve të para.

Bochum-i ka fituar 2-0 me Mainz-in me golat e Gerrit Holtmann-it në të 21 minutë dhe Sebastian Polter-it në minutën e 56.

Greuther Furth-i ka barazuar në shifrat 1-1 me Armina Bielefeld-in. Fillimisht shënuan miqtë me anë të Fabian Klos-it në të 45 minutë të pjesës së parë. Por, ndeshja u barazua në minutën e 50, falë penalltisë së ekzekutuar saktë nga Branimir Hrgota.

Ndeshja tjetër, ajo mes Eintracht Frankfurt-it dhe Augsburg-ut, përfundoi në barazim pa gola. Edhe pse Eintracht-i ishte shumë dominues në këtë sfidë, asnjë prej 21 gjuajtjeve të tyre nuk përfundoi në rrjet.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore