Sport

Bundesliga/ Koln përmbys Dortmund-in, shkëlqejnë Eintracht, Leipzig dhe Freiburg


Bundesliga gjermane ka përfunduar pesë sfidat e orës 15:30 të kësaj të shtunë. Takimet u luajtën për javën e tetë të kampionatit.

Borussia Dortmund u mposht 3-2 nga Koln në transfertë. Verdhezinjtë shënuan të parët me anë të Julian Brandt, para se vendasit të shënonin tre herë radhazi me anë të Florian Kainz, Steffen Tigges dhe Dejan Lujbicic. Autogoli i Benno Schmitz do të sillte vetëm ngushtimin e rezultatit.

Eintracht Frankfurt triumfoi 2-0 në shtëpi përballë Union Berlin. Golat për vendasit u realizuan nga Mario Gotze dhe Jesper Lindstrom.

Në “Red Bull Arena”, vendasit e Leipzig fituan me poker, 4-0, ndaj miqëve të Bochum. Autorët e golave ishin Timo Werner dhe Christopher Nkunku me nga dy gola. Madje francezi humbi dhe një 11 metërsh.

Freiburg fitoi 2-1 ndaj Mainz në shtëpi. Michael Gregoritsch dhe Daniel-Kofi Kyereh realizuan për skuadrën vendase. Goli i miqëve u shënua nga Aaron Martin Caricol.

Në ndeshjen tjetër mes Wolfsburg dhe Stuttgart, vendasit fituan 3-2. Omar Marmoush, Maximilian Arnold dhe Yannick Gerhardt shënuan për Wolfsburg. Serhou Guirassy dhe Konstantinos Mavropanos realizuan për miqtë.

Werder Bremen përballet me Borussia Monchengladbach këtë të shtunë, duke filluar nga ora 18:30.

Bundesliga nisi javën e tetë ditën e premte me përballjen mes Bayern Munich dhe Bayer Leverkusen, e përfunduar me fitoren 4-0 të bavarezëve.

Java tetë do të mbyllet me dy takime qe do të zhvillohen të dielën: Hertha – Hoffenheim dhe Schalke – Augsburg.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore