Sport

Bundesliga/ E shtuna sjell gjashtë përballje në elitën e futbollit gjerman


Kampionati kryesor i futbollit gjerman, Bundesliga, do të vijë me gjashtë ndeshje ditën e shtunë të 21 gushtit. Pesë ndeshje do të luhen duke filluar nga ora 15:30 dhe një në orën 18:30.

Pesë përballjet e para të ditës janë: Freiburg – Borussia Dortmund, Eintracht Frankfurt – Augsburg, Hertha – Wolfsburg, Greuther Furth – Arminia Bielefeld dhe Bochum – Mainz.

Freiburg-u do të presë në “Schwarzwald-Stadion” skuadrën e Dortmund-it. Një pikë kanë në renditje vendasit, që barazuan 0-0 në javën e parë me Armina Bielefeld-in. Tre pikë ka Dortmund-i që mundi Eintracht-in 5-2.

Eintracht-i do të presë në “Commerzbank Arena” skuadrën e Augsburg-ut. Të dy ekipet nuk kanë mundur të sigurojnë asnjë pikë në javën e parë të kampionatit. Përkatësisht Eintracht-i është mundur 5-2 nga Dortmund-i dhe Augsburg-u 0-4 nga Hoffenheim-i.

Në “Olympiastadion”, Hertha do të presë Wolfsburg-un. Vendasit janë në kërkim të fitores së parë. Miqtë kanë fituar ndeshjen e parë në Bundesligë dhe kanë pikë të plota. Hertha u mund nga Koln-i 3-1 në sfidën e javës së parë, ndërsa Wolfsburg-u fitoi 1-0 me Bochum-in.

Greuther Furth-i pret Armina-n në “Sportpark Ronhof Thomas Sommer”. Vendasit kanë zero pikë në renditje, ndërsa miqtë një pikë.

Në ndeshjen e javës së parë, Greuther Furth-i humbi 5-1 përballë Sttutgart-it. Armina barazoi pa gola me Freiburg-un.

Bochum pret në “Vonovia Ruhrstadion” skuadrën e Mainz-it. Vendasit humbën ndeshjen e parë në Bundesliga 1-0 me Wolfsburg-un. Mainz-i ka tri pikë në renditje, pasi mundi 1-0 Leipzig-un.

Ndeshja e fundit e të shtunës në Bundesliga do të jetë: Bayer Leverkusen – Borussia Monchengladbach.

Sfida do të luhet në “BayArena” të Leverkusen-it, duke filluar nga ora 18:30. Të dy skuadrat kanë nga një pikë në renditje.

Ndeshja e parë e këtij sezoni përfundoi në barazim pa gola për të dy skuadrat. Perkatesisht, Leverkusen-i me Union Berlin-in dhe M’gladbach-u me Bayern Munich-un.

Ditën e premte u luajt ndeshja e parë e javës së dytë në Bundesliga, Leipzig – Stuttgart, e fituar 4-0 nga vendasit.

Dy ndeshjet e mbetura do të luhen të dielën: Hoffenheim – Union Berlin dhe Bayern Munich – Koln.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore