Sport

Bundesliga/ Dortmund-i dhe Wolfsburg-u luajnë për të vulosur kualifikimin në Ligën e Kampionëve


Dita e diel do të sjellë dy përballjet e fundit të javës së 33-të në Bundesligën gjermane. Në fushë do të zbresin Borussia Dortmund-i, Leipzig-u, Wolfsburg-u dhe Mainz-i.

Ndeshja e hapëse e ditës së diel në Bundesligë do të luhet në “Opel Arena” midis Mainz-it dhe Dortmund-it. Vendasit kanë 36 pikë dhe renditen në vendin e 13. Pesë pikë ka Mainz-i më shumë se Werder Bremen-i i vendit të 16, që luan play-off për qëndrimin në Bundesligë.

Dortmund-i renditet në vendin e katërt me 58 pikë. Miqtë kanë një pikë më shumë se Eintracht Frankfurt-i i vendit të pestë dhe dy pikë më pak se Wolfsburg-u i vendit të tretë.

Duke filluar nga ora 20:30 në “Red Bull Arena” do të luhet sfida midis Leipzig-ut dhe Wolfsburg-ut. Vendasit e kanë të siguruar pjesëmarrjen në Ligën e Kampionëve për sezonin e ardhshëm, pasi renditen në vendin e dytë me 64 pikë.

Miqtë renditen të tretët me 60 pikë dhe e rrezikojnë pjesëmarrjen në Ligën e Kampionëve për sezonin e ardhshëm, pasi kanë tre pikë më shumë se Eintracht-i i vendit të pestë.

Java e fundit e Bundesligës për këtë sezon do të luhet më 22 maj, duke filluar nga ora 15:30. Ndeshjet e javës së 34 do të jenë: Bayern Munich – Augsburg, Dortmund – Bayer Leverkusen, Union Berlin – Borussia Monchengladbach, Eintracht – Freiburg, Koln – Schalke, Wolfsburg – Mainz, Hoffenheim – Hertha Berlin dhe Stuttgart – Armina Bielefeld.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore