Rajoni

Bullgaria shpërndan vaksinat me furgonë hot dog-ësh


Bullgaria ka marrë 9 mijë e 750 dozat e para të vaksinës ndaj Covid-19 dhe për shpërdarjen e tyre sa më shpejt në gjithë vendin, po përdoren edhe furgonë hot dog-ësh.

Këta të fundit janë zgjedhur sepse kanë kushtet frigoriferike për ruajtjen e vaksinës. Kujtojmë se vaksinat e Pfizer-BioNTech duhet të ruhen në kushte ekstreme, minus 79 gradë celsius. Në të kundërt ato e humbin efektivitetin. Ndërkohë deri në pesë ditë, mund të qendrojnë në temperatura nga dy deri në tetë gradë celsius.

Kjo zgjedhje e qeverisë bullgare ndërkohë ka nisur dhe trendet e para në media sociale.

Shaka të ndryshme, meme, imazhe të redaktuara në Photoshop, kanë pushtuar rrjetin. Fantazia e publikut bullgar ka shkuar deri aty sa të marrin reklamat e vjetra të kompanive që prodhojnë hot dog dhe t’i kthejnë në humor.

Në një prej tyre, shfaqet një kasap me hot dog-ët në dorë. Mbishkrimet e postimeve, shkruanin “Vaksinat erdhën”.

Ndërkohë situata në bullgari është serioze, pasi vendi renditet ndër më të lartët në vdekje për banorë në Bashkimin Evropian. Edhe sistemi shëndetësor në Bullgari ka vuajtur fluksin e lartë të pacientëve në spitale.

Ndërkohë që disa janë tallur me metodën origjinale të transportimit të vaksinës, të tjerë ndihen të shqetësuar. Ata mendojnë se kjo gjë tregon se shteti nuk është aspak i përgatitur për situatën.

Një avokate e specializuar në çështje shëndetësore, Mariya Sharkova, shprehet se nuk ka rëndësi mjeti që transporton vaksinat. “Ajo çfarë ka rëndësi, është që qeveria të ndjekë në mënyrë strikte rregullat e shpërndarjes dhe ruajtjes së vaksinës”.

Sharkova gjithashtu hedh shqetësime se kjo ngjarje do ndikojë për keq tek njerëzit. “Në vend që shteti të përdorë vaksinën për të qetësuar popullin se situata do të kalojë, bëhet objekt talljesh”, thotë ajo./AlbanianPost.com

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore