Shqipëria

Bullgaria “akuzon” Ramën se thotë të vërtetën në Bled, kryeministri: I bllokuat negociatat, e kam thënë edhe në qershor


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, është përfshirë së fundmi në një debat në distancë me ministrin e Jashtëm bullgar, Nikolay Milkov, mbi një deklaratë të bërë në Forumin Strategjik të Bled-it, ku kreu i Qeverisë ka përsëritur faktin se Sofja, ka bllokuar negociatat për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

“Në lidhje me deklaratat e reja, të paprovokuara, të njëpasnjëshme antibullgare të kryeministrit shqiptar Edi Rama gjatë Forumit të Bled më 29-30 gusht të këtij viti, bazuar në deklaratën e rreme se Bullgaria bllokoi fillimin e negociatave të Shqipërisë për 8 vjet për anëtarësimin në BE”.

Kështu pati shkruar dikasteri i Jashtëm bullgar.

Mirëpo, një përgjigje e menjëhershme ka ardhur nga kryeministri Rama nëpërmjet një statusi në Twitter, ku ka sqaruar se nuk ka thënë se Bullgaria i ka bllokuar për tetë vjet negociatat, por se pas tetë vjetësh pritje, kur vendet e BE-së pranuan të nisnin bisedimet, Sofja i bllokoi.

“Ndoshta dikush duhet të ndihmojë mikun tonë, ministrin bullgar, me një përkthim të qetë të përgjigjeve të mia në Bled, mbi mënyrën si Bullgaria i bllokoi negociatat për Tiranën dhe Shkupin, kur më në fund vendet e tjera ranë dakord pas tetë vjetësh”, shkruan numri një i Qeverisë shqiptare.

Më tej, ai rithekson faktin se këto qëndrime, i ka thënë edhe në qershor, kur negociatat u hapën zyrtarisht.

Me batutë, në fund, Rama përkufizon edhe qëndrimin e kryediplomatit bullgar.

“Nëse ministri i Jashtëm i Bullgarisë nuk ka pasur ndonjë gjë më me rëndësi për të bërë sot se sa një qëndrim publik mbi diçka që unë kam thënë, atëherë po e marr si kompliment për panelin e Forumit Strategjik në Bled dhe për mua vetë. Por, seriozisht, kjo nuk është e merituar”, e përmbyll ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore