Lajme

Buleshkaj: Kërkojmë që të rritet numri i subjekteve deklaruese


Drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsionit, Yll Buleshkaj.

Drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsionit, Yll Buleshkaj, në diskutimin “Fol Hapur”, ka deklaruar se marrjen e detyrës në krye të kësaj agjencie e konsideron si mjaft sfiduese, pasi ka pohuar se merret me verifikim të zyrtarëve të lartë.

“Sfidat të cilat i kam pritur nga vëzhgimet e jashtme, shumica nga ato janë vërtetuar edhe brenda, por, ta them të vërtetën më ka dalë më mirë se që e kam pritur. Jam i lumtur për këtë. Sfida kemi shumë sepse ne merremi me zyrtarë të lartë, me verifikime të pasurie të zyrtarëve të lartë, me shqyrtim të rasteve të konfliktit të interesit për zyrtarët e lartë. Duke filluar nga drejtorët e deri tek presidenti i vendit”.

Ai ka thënë se njëra nga sfidat me të cilat po ballafaqohen aktualisht është mungesa e stafit.

“Ka sfida të një pas njëshme, të cilat deri më tani nuk është se kemi pasur vështirësi që t’i tejkalojmë. Ato që janë pak më të vështira është mungesa e stafit të agjencisë, adekuat për ta zbatuar mandatin, e kemi një numër të caktuar po ai numër besoj që është i vogël në mënyrë që ne më shpejtë dhe më mirë ti shërbejmë qytetarëve dhe zyrtarëve të cilët janë të obliguar të na raportojnë”, tha Buleshkaj.

Agjencia kundër korrupsionit.

Ndër të tjera, ka përmendur edhe ligjin për deklarimin e pasurisë, duke u shprehur se si synim kanë shtimin e numrit të subjekteve deklaruese.

“Ligji ka disa risi, e para dhe e rëndësishme është që rritet shumë numri i subjekteve deklaruese, shtohen edhe mjekët e sektorit sekondat dhe terciar të sistemit shëndetësor. Rritet edhe numri i shqyrtimit të doganave, të gjithë doganierët do të  jenë të obliguar, pa marrë parasysh nivelin e tyre udhëheqës apo jo udhëheqës për ta deklaruar. Të gjithë zyrtarët që mbajnë ndonjë detyrë publike që lidhet me inspektim, do të jenë pjesë e deklarimit”.

Buleshkaj, potencoi edhe faktin se Kosova nuk është anëtare e traktit për shkëmbimin e informatave lidhur me verifikimin e pasurisë.

“Është një traktat i cili është nënshkruar nga të gjitha shtetet rajonale. Nuk e di çka e ndalon Kosovën, ka qenë pjesë e hartimit të këtij traktati, traktati është nënshkruar nga të gjitha vendet e Ballkanit në vitin 2019 dhe është e depozituar në Serbi sepse vend opozitar është Serbia”.

Sipas tij, institucionet duhet ta shqyrtojnë edhe një herë këtë çështje.

“Kosova po besoj që duhet t’i shoh mundësitë për ta ratifikuar këtë traktat në mënyrë që ne pastaj të kemi mundësi të lehta për t’iu qasur informatave përmes institucioneve si motra në rajon. Nuk e obligon asgjë asnjë institucion rajonal që të bashkëpunoj me ne nëse ne nuk jemi pjesë e atij traktati”.

Ndërsa bëri të ditur se është kontaktuar nga kabineti i ministrit të Brendshëm, Xhelal Sveçla, në lidhje me orën Rolex, dhuratë kjo nga shteti i Katarit.

“Ajo sa e di unë e ka raportuar si dhuratë protokollare. Pjesa e dhuratave nuk ka ndryshuar fare, është e njëjta pjesë. I njëjti trajtim i dhuratave. Kabineti i ministrit na ka kontaktuar si zyrë menjëherë pas arritjes nga vizita, na ka pyetur për procedurat se si duhet të ndiqen në lidhje me këtë dhuratë dhe na kanë thënë që dhurata pa marrë parasysh edhe nëse ministri mund ta bëjë vetë nuk dëshiron ta mbaj vetë por do ta lë në institucion”.

“Qoftë për vlerën qoftë për punën që i është dhënë në një vizitë zyrtare e nuk i është dhënë në vizitë private”.

Agjencia kundër korrupsionit, kishte bërë të ditur se e enjtja e 31 marsit është dita e fundit për përmbushjen e obligimit ligjor për deklarimin e rregullt vjetor të pasurisë.

Këtij obligimi ligjor akoma nuk i janë përgjigjur edhe rreth 550 zyrtarë publikë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore