Lajme

Bujar Osmani: Javën e ardhshme mbërrijnë trupat e viktimave të tragjedisë


Bujar Osmani-Minister i Punve te Jashtme te Maqedonise se Veriut

Ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani ka thënë se trupat e viktimave të aksidentit tragjik që ndodhi në Bullgari do të mund të mbërrijnë në Shkup javën e ardhshme.

Në një konferencë për media, ministri Osmani tha se disa nga të lënduarit do të transferohen të shtunën nga Sofja për në Shkup.

“Pas takimit që kisha në Sofje me prokurorin bullgar por edhe me ekspertët e Maqedonisë së Veriut që ishin inkuadruar drejtpërdrejt në procesin e identifikimit, dje në Qeveri prezantova informacion dhe plan veprimi për transferimin të lënduarve, por edhe transferimin e viktimave të aksidentit tragjik”.

“Sipas informacioneve që kemi nga spitali në Sofje planifikohet që nesër më 27 nëntor të lëshohen në shërim shtëpiak dy të lënduarit e parë, kurse pastaj më 28 dy të tjerë, më 30 dy tjerë dhe një person me një dhjetor”, tha ai.

Autobusi i aksidentuar

Ministria e Shëndetësisë maqedonase do të bëjë të mundur transportin e të lënduarve tha ai.

“Transferimi i tyre do të organizohet nga Ministria e Shëndetësisë dhe ata fillimisht do të transferohen nëpër spitale, institucionet shëndetësore të vendit këtu në Shkup dhe pastaj kur të bëhet vlerësimi mjekësor të vazhdohet trajtimi i tyre në kushte të shtëpisë”, tha Osmani.

Ministri i jashtëm deklaroi se javën e ardhshme pritet të përfundojë identifikimi i viktimave.

“Jemi në koordinim të vazhdueshme me organet e hetimit dhe identifikimit në Sofje, presim që nga mesi i javës së ardhshme të përfundojë procesi i identifikimit dhe ministria e jashtëm organizon transportin e veçantë dhe në mënyrë të dinjitetshme nga Sofja për në Shkup. Në ditët në vijim do të kem komunikim me familjarët e viktimave”, tha ai.

Ndërsa ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski tha se autobusi ka marrë flakë pas përplasjes së parë.

Kurse ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Blagoj Boçvarski ka deklaruar se autobusi i djegur ka përdorur një certifikatë leje nga një autobus tjetër i “Besa-trans”.

Të martën e 23 nëntorit në një aksident tragjik të një autobusi me 52 pasagjerë në autostradën e Strumës në Bullgari, kanë humbur jetën 45 prej tyre, ndërsa shtatë të tjerë mbetën të lënduar.

Ky aksident llogaritet ndër më të rëndët në komunikacion në vitet e fundit në Evropë.

Autobusi i aksidentuar

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore