Lajme

Bugajski: Fqinjët e Rusisë duhet ta njohin Kosovën kështu ata pavarësohen nga ambicia perandorake e Moskës


Janusz Bugajski

Për anëtarin e lartë në Qendrën për Analiza të Politikave Evropiane, Janusz Bugajski, të gjitha shtetet të cilët janë fqinjë me Rusinë duhet ta njohin pavarësinë e Kosovës.

Sipas tij një ndryshimi i tillë i pozicionit ndaj shtetit të Kosovës do të nënvizonte pavarësinë e tyre nga një fqinj e cila ka ambicie perandorake.

Një shtjellim i tillë i Bugajskit ka ardhur pasi deputeti ukrainas, Oleksiy Goncharenko, të shtunën ka bërë të ditur se ka dorëzuar një draft-rezolutë në Parlamentin e Ukrainës, ku bëhet thirrje që Ukraina ta njohë pavarësinë e Kosovës.

Sipas Bugajskit shteti serb gjatë luftës së fundit në Kosovë u përpoq të kryente spastrim etnik ndaj shqiptarëve të Kosovës ashtu siç shteti rus bënë me ukrainasit në territoret e pushtuara.

Për Bugajskin një gjë është e qartë, se të ashtuquajturat republika të Donetskut dhe Luhanskut nuk krahasohen në asnjë mënyrë me Kosovën.

“Separatistët në Donbas janë kryesisht përfaqësues të Moskës. Kosova është krijuar mbi luftën kundër terrorit shtetëror serb, e ndërsa Donbasi është krijuar përmes terrorizmit shtetëror. Pavarësia nga imperializmi është një e drejtë themelore e njeriut”, ka shkruar Bugajski në rrjetin e tij social në Twitter.

Ndryshe deputeti ukrainas, Oleksiy Goncharenko, përmes një postimi në rrjetin e tij social në Twitter, ka bërë të ditur se ka dorëzuar një draft-rezolutë në Parlamentin e Ukrainës, ku bëhet thirrje që Ukraina ta njohë pavarësinë e Kosovës.

Deputeti ukrainas, pasi ka bërë publike draft-rezolutën në fjalë ka deklaruar se shpreson se Ukraina ta njohë pavarësinë e Kosovës sa më parë të jetë e mundur.

“Dorëzova në Parlamentin e Ukrainës një rezolutë për njohjen e pavarësisë së Kosovës. Ukraina ndan vlerat perëndimore dhe do të përkrahë demokracinë kudo në botë. Shpresoj që Ukraina do ta njohë pavarësinë e Kosovës sa më parë të jetë e mundur”, ka shkruar ai në Twitter.

Oleksiy Honcharenko, deputet ukrainas: Nëse Serbia sulmon Kosovën, ne ukrainasit jemi të gatshëm ta ndihmojmë me trupa

 

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore