Euro 2020

Budapesti, Mynihu dhe Sevilja presin raundin e dytë të ndeshjeve në grupe


Tri ndeshje do të luhen të premten në Euro 2020. Dy takime do të jenë në Grupin D dhe një në Grupin E. Anglia, Sllovakia dhe Republika Çeke luajnë për kualifikimin, ndërsa Kroacia, Suedia dhe Skocia për fitoret e para në grup.

Përballja që do të hapë ditën e premte do të jetë ajo në Grupin E, midis Suedisë dhe Sllovakisë. Ndeshja do të luhet në orën 15:00, në “Krestovsky Stadium” të Rusisë.

Suedia barazoi ndeshjen e parë, pa gola me Spanjën. Ndërsa, Sllovakia mposhti Poloninë. Aktualisht sllovakët kryesojnë Grupin E dhe, me një fitore, kualifikohen për në raundin tjetër.

Suedia është përballur pesë herë më parë me Sllovakinë, nga të cilat numëron tre fitore dhe dy barazime.

Ndeshja e radhës, ajo e Grupit D, do të luhet midis Kroacisë dhe Çekisë. Dy skuadrat do të përballen në orën 18:00, në Gllasgou, në “Hampden Park”.

Kroacia humbi ndeshjen e parë përballë Anglisë, me rezultatin 1-0. Ndërsa, Çekia fitoi 0-2 përballë Skocisë.

Në rast fitoreje të çekëve, edhe ata do të kalonin në raundin tjetër të Euro 2020. Grupi D kryesohet nga Çekia, për shkak të golavarazhit.

Kroacia është përballur tri herë më parë me Çekinë, nga të cilat ka fituar dy herë dhe një ndeshje ka përfunduar në barazim.

Kroacia do të provojë të marrë tri pikët e para, duke rritur shanset për kualifikimin e mëtejshëm në Euro 2020.

Ndeshja e fundit e të premtes do të jetë ajo e orës 21:00 midis Anglisë dhe Skocisë. Derbi britanik do të luhet në “Wembley”.

Anglia, që fitoi ndeshjen e parë me Kroacinë, tanimë do të ketë një ndeshje më të lehtë në letër përballë skocezëve.

Por, pavarësisht sa e lehtë në letër mund të jetë për Anglinë kjo ndeshje, gjithmonë dy kombëtaret kanë qenë rivale.

Në përballjet direkte, Anglia numëron 48 fitore, 25 ndeshje kanë përfunduar në barazim dhe 41 fitore janë në favor të Skocisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore