Shqipëria

BSH: Rifillon ankandi i blerjes së valutës


Banka e Shqipërisë (BSH) ka njoftuar se do të rifillojnë këtë vit ankandet e blerjes së valutës, me qëllim të menaxhimit të rezervës valutore.

Shuma e parashikuar për t’u blerë në raundin e parë është mes katër dhe gjashtë milion eurosh në secilin ankand. Në total, shuma e parashikuar për t’u blerë është mes 56 dhe 84 milion eurove.

Ankandi i parë për blerjen e valutës në tregun e brendshëm valutor pritet të zhvillohet më datë 19 shkurt të 2021.

Në mars të 2020-ës, Banka e Shqipërisë e anulloi ankandin për blerjen e valutës për shkak të krizës së shkaktuar nga përhapja e coronavirusit.

Sipas publikimeve të BSH-ës, shumat e blera në ankande nga Banka e Shqipërisë u rritën ndjeshëm pas vitit 2017 dhe arritën shifrën rekord të gati 155 milionë eurove në vitin 2019.

Për vitin e kaluar, banka qendrore zhvilloi vetëm dy ankande me një shumë totale të blerë prej 13.7 milionë eurosh, ndërsa kishte planifikuar të blinte një shumë prej rreth 102 milionë eurosh, mbështetur në kalendarin vjetor të ankandeve. /AlbanianPost.com

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore