Lajme

Brutaliteti i bombardimeve në Mariupol i rrëfyer nga të mbijetuarit e uzinës


Thellë nën tokë, në të ftohtë, të mbijetuarit e fabrikës Azovstal të hekurit dhe çelikut në Mariupol, tuteshin nga rrënojat që do të gjenin nëse do të dilnin të gjallë.

Këtë javë, kur dolën, çka panë, shfaqte makthet e tyre më të këqija.

Pas një evakuimi treditor, 100 civilët e parë mbërritën 140 milje në veriperëndim të qytetit Zaporizhzhia dhe nisën të rrëfenin historitë e tyre.

Gratë dhe të moshuarit thanë se kishin jetuar për më shumë se një muaj pa rrezet e diellit, pasi frika i pushtoi dhe ushqimi u pakësua.

Kurse bombardimet ruse e kishin goditur kompleksin aq fort sa pluhuri kishte pushtuar gjithë tavanin e bunkerit.

Javë pa e parë dritën e diellit, mbi tokë nisën t’ju digjnin sytë. Ndërsa ajo që panë, i tronditi.

“Nga njëra anë duke parë qiellin për herë të parë, por nga ana tjetër duke parë qytetin e shkatërruar”, tregoi Osnat Lubrani, koordinatori humanitar i OKB-së për Ukrainën.

Pasi autokolona mbërriti në Zaporizhzhia, një grua me flokë të kuqe u pyet nga gazetarët nëse realiteti i arratisjes së saj nga Mariupol-i ishte absorbuar.

Hapi gojën për të folur, por… ra heshtja. Sytë iu rrëmbushën dhe tundi kokën.

“Nuk kam fjalë. Asgjë nuk është më e vërtetë”, tha ajo.

Fitorja në Mariupol do të ishte më e rëndësishmja e Rusisë në këtë luftë dhe fabrika e çelikut Azovstal është pika e fundit e fortifikuar e Ukrainës atje.

Qyteti port është kritik për shpresat ruse për të formuar një korridor të pandërprerë tokësor që shtrihet nga rajoni lindor i Donbas-it në kufi me Rusinë deri në gadishullin e Krimesë, të cilin Rusia e aneksoi në vitin 2014.

Qindra luftëtarë janë ngujuar në fabrikat e çelikut prej katër miljesh katrore, me civilë që strehohen përkrah tyre në rrjetin e bunkerëve poshtë.

Teksa autobusët e evakuimit iu afruan Zaporizhzhia-s, zëvendëskryeministrja ukrainase Iryna Vereshchuk këmbënguli që Mariupol-i nuk do të binte nën kontrollin e plotë të Rusisë.

“Mariupol-i është Ukraina. Ishte Ukraina, është Ukraina, do të jetë Ukraina”, ka thënë ajo.

Mbështetur nga Organizata e Kombeve të Bashkuara dhe Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq, evakuimi mori javë të tëra për të negociuar teksa luftëtarët ukrainas brenda objektit iu lutën komunitetit ndërkombëtar që të ndihmonte evakuimin e civilëve që strehoheshin.

Zyrtarët e përfshirë në operacion, sakaq, kanë përshkruar një mision të mbushur me rrezik.

Punonjësit e ndihmës u larguan nga Zaporizhzhia për në Mariupol të premten, por nuk ishin në gjendje të fillonin evakuimin e civilëve deri të shtunën pasdite.

Fillimisht, ata duhej të negocionin me rusët, pastaj prisnin të dilnin civilët.

Një minibus i prishur u sillte atyre grupe prej gjashtë ose shtatë personash njëherazi, shpesh me një pritje prej 40 minutash midis grupeve.

Në një moment, planifikuesit e evakuimit ndryshuan rrugë pasi zbuluan mjete të pashpërthyera në rrugë, duke përfshirë mina.

Zakonisht, udhëtimi zgjat më pak se katër orë, por për shkak të granatimeve aktive, të shtënave dhe postblloqeve të shumta ruse gjatë rrugës, u shndërrua në një provë të rëndë 36-orëshe.

Kur autobusët mbërritën në Zaporizhzhia, pasagjerët dukeshin të rrënuar.

Kur pasagjerja e parë, një grua e moshuar, doli jashtë, ajo u duk për një moment e përhumbur, para se fytyra e saj të binte në qetësi.

Po ashtu, edhe një rioshe me flokët e arta, të bëra gërshet.

Në pjesën më të madhe, vetëm gratë dhe fëmijët ishin në gjendje të bashkoheshin me përpjekjet e evakuimit, pasi rusët nuk i lejuan të rinjtë në moshë luftarake të largoheshin.

Të paktën tre nëna të intervistuara nga gazetarët thanë se në fund u duhej të bënin një zgjedhje. Të qëndronin me bashkëshortët ose të shpëtonin fëmijët e tyre.

Oksana, nënë e dy fëmijëve, ishte njëra prej tyre.

E bllokuar brenda me bashkëshortin dhe djemtë e saj dhjetë dhe 14 vjeç, ajo shikonte se si djemtë po përshtateshin disi me një jetë në të cilën bombat shkundnin themelet.

E nga ana tjetër, ushqeheshin gjithnjë e më pak. Sepse ushqimi i tyre i vetëm ishin paketat me ndihma humanitare që rusët i lejuan.

“Gjatë muajit të parë, qanin dhe drithëroheshin”, tha ajo.

Por më vonë, u qetësuan… u mësuan.

Kur ajo hipi në autobusin e evakuimit me shpresën për t’i çuar djemtë drejt sigurisë, bashkëshorti i saj mbeti prapa.

Oksana ka treguar se të jetuarit si prind në kushte rrethimi i kishte sjellë asaj më shumë frikë se sa e kishte imagjinuar.

Ama duke parë tmerrin mbi tokë, frika veç shtohej.

“Ndjeva aq shumë frikë saqë mendja ime u boshatis. Thjesht doja të ikja me vrap”, tha.

Të martën, raportimet treguan se forcat ruse kishin dyfishuar bombardimet ndaj fabrikës së çelikut menjëherë pasi nisi evakuimi.

Kreu i forcës rajonale të policisë zbuloi se luftëtarët rusë kishin bombarduar vazhdimisht objektin dhe po përpiqeshin të sulmonin perimetrin e uzinës.

Sulmet e fundit kishin vrarë të paktën dy civilë dhe rreth 200 të tjerë ishin ende të fshehur në bunkerë poshtë uzinës, të dëshpëruar për evakuim.

“Çka po ndodh, është tejet serioze”, ka theksuar ai, Mykhailo Vershynin.

Gjithashtu një zyrtar i Kryqit të Kuq pohoi se ishte “jashtëzakonisht i shqetësuar” për civilët që mbetën të bllokuar në uzinë.

Ai, Pascal Hundt, shpresonte se shumë më shumë njerëz do të ishin në gjendje të bashkoheshin me kolonën dhe kështu, të dilnin nga feri.

“Kjo është arsyeja pse jemi të trazuar sot”, ka shtuar.

Teksa OKB-ja dhe grupe të tjera të ndihmës përgatitnin planin e evakuimit, të dashurit e civilëve të bllokuar ishin mbledhur në Zaporizhzhia në pritje të lajmeve.

Në rastin e 24-vjeçares Vlada, ajo kishte pyetur çdo ditë këdo që do të dëgjonte lidhur me lajme për shoqen e saj më të mirë.

Shoqja e saj, Anna, kishte sjellë në jetë një fëmijë gjashtë muaj më parë dhe Vlada ende nuk e kishte parë.

Kur ushtarët rusë hynë në Mariupol dhe më pas në Azovstal, lajmet e tmerruan Vlada-n.

Të martën, Vlada u kthye sërish në pikën e evakuimit në Zaporizhzhia, duke pritur shoqen.

Arriti ta shihte. Në njërin krah ishte foshnja. Në tjetrin ishte celulari me të cilin Anna po telefononte Vlada-n.

U përqafuan plot me mall. Aq sa dukej sikur u lehtësuan sadopak.

Anna, kur shoqja e saj mori në krahë fëmijën, nisi të qante.

“Të kam pritur kaq shumë ditë. Më vjen shumë mirë që jeni këtu”, i tha Vlada shoqes me zërin e dridhur nga emocionet.

Marrë nga “The Washington Post”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore