Lajme

Brukseli përballet me sfida ligjore për etiketimin e gazit dhe energjisë bërthamore si “të gjelbra”


Komisioni Evropian po përballet me sfida ligjore nga dy organizata mjedisore lidhur me etiketimin e gazit dhe energjisë bërthamore si “të gjelbra”.

E gjitha referuar një sistemi të krijuar për të drejtuar investimet në projekte miqësore me klimën.

Grupi Greenpeace dhe një aleancë e veçantë e organeve mjedisore, duke përfshirë Client Earth dhe World Wildlife Fund, kanë thënë se kishin kërkuar një rishikim ligjor të vendimit që kishte aplikuar etiketa “të rreme të gjelbra” që ishin të papajtueshme me ligjet e BE-së për klimën.

Klasifikimet në të ashtuquajturën taksonomi të BE-së u krijuan në vitin 2020 për të ndihmuar në shtytjen e bllokut drejt qëllimit të tij për të arritur emetimet neto zero deri në vitin 2050.

Por komisioni nuk përfshiu gazin në legjislacionin e tij fillestar për të ngritur sistemin e klasifikimit financiar dhe vendosi ta shtojë në janar pas konsultimeve.

Sfida ka të bëjë me etiketën e gjelbër për gazin, “një lëndë djegëse fosile e fuqishme që kërcënon sigurinë energjetike evropiane dhe ka çuar në çmime të larta të energjisë në të gjithë Evropën”.

“Gazi është shkaku kryesor i kaosit klimatik dhe ekonomik, ndërkohë që ende nuk ka një zgjidhje për problemin e mbetjeve radioaktive bërthamore dhe rreziku i aksidenteve bërthamore është shumë i rëndësishëm”, ka thënë Ariadna Rodrigo, aktiviste e Greenpeace në BE.

Sakaq, grupet i kanë kërkuar komisionit të rishqyrtojë zyrtarisht vendimin e tij, për të cilin ka nga 16 deri në 22 javë.

Nëse nuk bie dakord, ata kanë thënë se do ta çojnë çështjen në Gjykatën Evropiane të Drejtësisë.

Sipas tyre, komisioni nuk ka marrë parasysh këshillat e ekspertëve, të cilët kanë dhënë një mendim negativ për propozimin dhe se ligji nuk ndjek shkencën themelore të klimës.

Megjithatë, Brukseli ka thënë se aktivitetet e gazit dhe ato bërthamore mund të konsiderohen “të gjelbra” vetëm nëse plotësojnë disa kritere.

Ato duhet të përdoren vetëm si një mjet për t’u larguar nga lëndët djegëse fosile më të ndotura si qymyri dhe nafta, dhe se projektet e gazit duhet të funksionojnë vetëm me emetime të kufizuara për t’u kthyer në energji të rinovueshme deri në vitin 2035.

Dhe vendosi që energjia bërthamore mund të financohet vetëm nëse i përmbahet disa standardeve për asgjësimin e mbetjeve radioaktive.

Gjatë krizës së tanishme energjetike të shkaktuar nga lufta në Ukrainë, debati është bërë më i nxehtë.

Qeveritë kombëtare në të gjithë BE-në kanë pompuar miliarda euro për të gjetur furnizime të tjera karburanti, duke hapur terminale të gazit natyror të lëngshëm dhe duke zgjatur jetën e centraleve bërthamore.

Eurodeputetët e gjelbër dhe të majtë po bëjnë gjithashtu presion që Parlamenti Evropian të ndërmarrë veprime ligjore.

Marrë nga “Financial Times”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore