Sport

Brozovic edhe më larg Inter-it, gati të përfitojë Barcelona


Marcelo Brozovic nuk është më një figurë qendrore te Inter-i dhe një largim në verë është jashtëzakonisht i mundshëm pasi Barcelona e ka nën vëzhgim kroatin.

Mesfushori 30-vjeçar nuk ishte ndër të preferuarit në këtë sezon te zikaltrit dhe ai nënshkroi një kontratë të re me klubin pothuajse saktësisht 12 muaj më parë, por gjërat kanë ndryshuar këtë sezon, me Hakan Calhanoglu që zuri vendin e tij në qendër të fushës.

“La Gazzetta dello Sport” detajon se si Interi i ka dëshmuar vetes se nuk ka më nevojë për Brozovic-in, i cili është një nga fituesit më të lartë në skuadër dhe kështu ata po përgatiten ta shesin atë në verë.

Mesfushori kroat, i cili e frustroi klubin me mënyrën se si e trajtoi dëmtimin e gjurit në janar, fiton rreth 6 milionë euro neto në sezon.

Barcelona doli si kërkuese e Brozovic në afatin kalimtar të janarit, duke propozuar ndoshta një marrëveshje shkëmbimi që përfshinte Franck Kessie-n dhe skuadra katalanase është ende e prirur për të marrë 30-vjeçarin.

Kujtojmë që kroati është pjesë e Inter-it që nga vera e vitit 2015, kur fillimisht u huazua nga Dinamo Zagreb për 3 milionë euro, pastaj një vit më vonë u ble nga zikaltrit për 5 milionë të tjera.

Deri më tani, Brozovic ka luajtur 311 ndeshje në të gjitha garat me fanellën e Inter-it, prej të cilave ka shënuar 30 gola dhe ka dhuruar 37 asistime.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore