Shqipëria

Britania po planifikon riatdhesimin e “shqiptarëve të paligjshëm”


Ministrat britanikë po planifikojnë një deportim masiv gjatë javës së ardhshme të kriminelëve të huaj dhe emigrantëve që ndodhen ilegalisht në Mbretërinë e Bashkuar.

Lajmin e bëri të ditur britanikja “Daily Mail”.

Ky operacion, sipas saj, përfshin deri në 300 shtetas të huaj dhe besohet të jetë aksioni më i madh i dëbimit i tentuar ndonjëherë brenda 24 orëve.

Fluturimet çarter të rezervuara nga Ministria e Brendshme britanike nisen për në Kurdistan-in e Irakut, Shqipëri dhe Bangladesh të martën.

Ata që po deportohen po mbahen në qendrat e largimit të imigracionit, përfshirë Colnbrook, pranë aeroportit Heathrow, ndërsa presin fluturimet, shkruan DM-ja.

Emigrantët janë kapur nga e gjithë Britania dhe janë ndaluar gjatë muajit të kaluar.

Ndërsa departamenti refuzoi të komentonte detajet e fluturimeve të së martës, “Daily Mail” mësoi se mes të dëbuarve përfshihen kurdë irakianë, shqiptarë dhe shtetas të Bangladesh-it.

Ata do të fluturojnë, përkatësisht, në kryeqytetet e vendit të tyre.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore