Lajme

Britania po dërgon armë në Ukrainë


Mbretëria e Bashkuar po furnizon Ukrainën me raketa antitank me rreze të shkurtër veprimi për vetëmbrojtje. Kjo pasi Rusia grumbulloi rreth 100 mijë trupa në kufirin e saj.

Ky lajm u bë i ditur nga sekretari i Mbrojtjes, Ben Wallace.

Sipas tij, një ekip i vogël trupash britanike do të dërgohet gjithashtu në Ukrainë për të ofruar trajnime.

Ai tha se kishte “arsye legjitime dhe reale për shqetësim” se trupat ruse mund të përdoren për një pushtim.

Rusia, nga ana tjetër, mohon çdo plan pushtimi dhe akuzon Perëndimin për agresion.

Dhjetëra trupa britanike kanë qenë në Ukrainë, që nga viti 2015, për të ndihmuar në trajnimin e forcave të tyre të armatosura.

Britania e Madhe ka marrë një angazhim për të ndihmuar në rindërtimin e marinës së Ukrainës pas pushtimit rus të Krimesë në 2014.

Por, Wallace tha se Mbretëria e Bashkuar do të ofronte ndihmë shtesë për sigurinë.

Grupi i parë i armëve të lehta kundër blindave u dërgua të hënën e 17 janarit, megjithëse sekretari i Mbrojtjes nuk specifikoi llojin.

“Ukraina ka çdo të drejtë të mbrojë kufijtë e saj dhe kjo paketë e re ndihme rrit më tej aftësinë e saj për ta bërë këtë”, u tha ai deputetëve.

Sekretari solli në vëmendje paketën e sanksioneve ndërkombëtare, nëse Rusia ndërmerr ndonjë veprim destabilizues në Ukrainë.

“Ne dëshirojmë të jemi miq me popullin rus siç kemi qenë për qindra vjet. Dhe ka një botë në të cilën ne mund të krijojmë një marrëdhënie reciproke të dobishme me Rusinë”, u shpreh ai.

Ambasadori ukrainas në Britaninë e Madhe përshëndeti vendimin e Britanisë për të dërguar armë dhe trupa shtesë.

Konflikti midis separatistëve të mbështetur nga Rusia në Ukrainën Lindore dhe ushtrisë ukrainase vijon që nga viti 2014, megjithëse ekzistojnë armëpushimet.

Shërbimet e inteligjencës perëndimore dhe ukrainase kanë deklaruar se një pushtim ose inkursion mund të ndodhë diku në fillim të vitit 2022, pasi forcat ruse u grumbulluan në kufi.

Ndërkohë, Rusia ka akuzuar vendet e NATO-s se po “pompojnë” Ukrainën me armë dhe se SHBA-të po nxisin tensionet në rajon.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore