Lajme

“Brezovica 3” – Sekuestrohen dokumentacione në lidhje me Nikolliç-in


Shukri Jashari

Në aksionin “Brezovica 3” janë sekuestruar dokumentacione nga komuna e Shtërpcës që ndërlidhen me ish-kryetarin e kësaj komune, Bratislav Nikolliç, i cili u arrestuar gjatë aksionit të parë në fund të vitit të kaluar.

Këtë e ka bërë të ditur Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Ferizajt, Shukri Jashari, në një konferencë për media, pas përfundimit të aksionit.

Jashari më tutje ka potencuar se në këto dokumentacione të sekuestruara pritet që të gjejnë ndërlidhjen e të arrestuarve me persona të tjerë.

“Operacioni është zhvilluar në kuadër të aksionit “Brezovica 3”, ku janë kontrolluar shtatë lokacione në mesin e tyre edhe komuna paralele e Shtërpcës. Aksioni ka përfunduar dhe dy persona janë ndaluar dhe gjashtë të tjerë janë marrë për intervistim”.

Ndryshe Policia e Kosovës ditën e mërkurë të 16 marsit ka ndërmarrë një aksion policor kundër krimit dhe korrupsionit në Brezovicë, ku bastisi disa lokacione dhe ndaloi një doganier dhe kryetarin e bordit të “Ski Center Brezovica”.

Prokuroria e Ferizajt lajmëroi për përfundimit e aksionit.

“Prokuroria Themelore në Ferizaj, njofton opinionin publik se në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Rënda (DHKR) në Prishtinë, në bazë të urdhëresës së lëshuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj për kontrollin e shtëpive dhe objekteve përcjellës, sot kanë realizuar aksionin “Brezovica ” ku, me ç’rast janë kontrolluar dhe bastisur shtatë lokacione të ndryshme në Shtërpcë, në mesin e tyre edhe objekti i Komunës së strukturave paralele në Shtërpcë dhe janë arrestuar dy persona të dyshuar”, thuhet në njoftim.

Me vendim të Prokurorit të Shtetit, personat e arrestuar, N.G.,- doganier dhe S.I., – kryetar i bordit të “Ski Center Brezovica”, janë ndaluar në kohëzgjatje prej 48 orësh, për shkak të dyshimit se të njëjtit kanë kryer veprën penale “Marrja e ryshfetit”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore