Sport

Brexit League: Propozimi për një Superligë pa ekipe angleze


Menaxheri i përgjithshëm i skuadrës Monza në Serie A ka bërë thirrje për një lloj të ri të Superligës që nuk do të ketë skuadra angleze.

Ekziston një ndjenjë se epërsia ekonomike e skuadrave të Premier League do të thotë se pjesa tjetër e klubeve kryesore të Evropës nuk mund të konkurrojnë.

Propozimi ka ardhur nga Adriano Galliani, i cili e bëri këtë sugjerim gjatë një interviste për gazetën italiane Tuttosport.

Ish-zëvendëspresidenti dhe drejtori i përgjithshëm i Milanit e sheh këtë si një zgjidhje për pabarazinë ekonomike që kanë skuadrat evropiane, krahasuar me epërsinë monetare të klubeve të Premier League.

“Superliga mund të jetë një zgjidhje, por pa anglezët”, tha ai.

“Duhet të ketë edhe një Brexit në futboll, atëherë do të ishte një kampionat i vërtetë evropian, pa britanikët”.

“20 klubet e Premier League kanë një qarkullim pothuajse katër herë më të lartë se 20 klubet në Serie A”.

Si shembull i kësaj pabarazie ekonomike, Galliani foli për skuadrën e tij Monza, e cila këtë sezon do të luajë në Serie A për herë të parë në histori.

“Monza merr 33 milionë euro nga të drejtat televizive, 3 milionë euro nga të cilat duhet të shkojnë si donacion për Serinë B për të lënë gjithsej 30 milionë euro”, tha ai.

“Një klub i sapo promovuar në Premier League fiton 160 milionë euro. Si mund të konkurroj me Nottingham Forest”?

Për të ardhmen e Monzas në Serie A, 78-vjeçari shpjegoi se ata synojnë vendin e 10-të në renditje.

“Ëndrra ime e fëmijërisë u bë realitet, marrja e Monzës në Serie A ishte më e vështirë sesa fitimi i Champions League me AC Milan”, tha ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore