Sport

Breshka spanjolle “Yellow”, parashikon Liverpool-in si fitues të finales së Ligës së Kampionëve


Yellow, një breshkë tridhjetë vjeçare që 15 vjet më parë mbërriti në Akuariumin “Sea Life” në Benalmadena të Malaga-s nga Ishujt Kajman, ka parashikuar se Liverpool do të fitojë finalen e Champions League kundër Real Madrid të shtunën në Paris.

Mbajtësit e kësaj breshke kanë përgatitur dy kontejnerë me një distancë prej rreth dy metrash, me një gjethe brokoli në secilën prej tyre – që përfaqësonte rivalët në këtë finale – dhe, kur u ul në pellgun ku ndodhej breshka, shkoi në anën e majtë të saj, ku ishte imazhi i ekipit anglez.

Breshka aspiron të bëhet si oktapodi Paul, i cili u bë i famshëm në vitin 2010 pasi parashikoi saktë tetë ndeshje të Kupës së Botës 2010, duke përfshirë fitoren e Spanjës ndaj Holandës në finalen e luajtur në Johannesburg më 11 korrik.

Drejtoresha e marketingut të Sea Life Benalmadena, Maria Morondo, vuri në dukje se Yellow, i cili peshon më shumë se 100 kilogramë, është “ylli i tunelit Jurassic” dhe shumë vizitorë pyesin për të, megjithëse shpreson që në këtë rast kafsha ta ketë gabim, në mënyrë që skuadra spanjolle e drejtuar nga Carlo Ancelotti të fitojë.

Kujtojmë, se Real Madrid dhe Liverpool takohen sërish në finalen e Champions League, siç ndodhi në vitin 2018, kur skuadra spanjolle mposhti 3-1 anglezët me dy gola të Gareth Bale dhe një të Karim Benzema, ndërsa golin e Liverpool-it e shënoi Sadio Mane.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore