Lajme

BQK: Sivjet rritja ekonomike 6.6 për qind


Banka Qendrore e Kosovës

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti, ka thënë se parashikimet e BQK-së për këtë vit janë që norma e rritjes ekonomike për sivjet të jetë 6.6 përqind.

“Parashikimet tona janë që rritja ekonomike në Kosovë do të jetë 6.6 për qind, edhe pse është subjekt i rishikimit, duke pasur parasysh, deri në fund të vitit se si rrjedh çështja që ka të bëjë me pandeminë, duke pasur parasysh që burim i krizës në Kosovë dhe në nivel global është pandemia dhe jo faktor të tjerë ekonomik. Gjithçka lidhet me pandeminë”, theksoi Mehmeti.

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti

Ai vlerëson se bashkatdhetarët që kanë ardhur këtë verë në Kosovë, kanë shpenzuar mbi 630 milionë euro, teksa tregon se remitencat kanë arritur në 651 milionë euro.

Sipas tij, remitencat nga bashkatdhetarët kanë shënuar rritje 24 përqind, derisa shpenzimet e tyre deri në korrik ishin 140 përqind më shumë se vitin paraprak.

“Lehtësimi i kufizimeve të lëvizjes të bashkatdhetarëve nga vendet që vijnë në Kosovë del që të kemi ardhje të shumë bashkatdhetarëve dhe që të kemi një rritje të konsiderueshme të shpenzimeve jo-rezidente, që ne i quajmë shpenzime të diasporës, të cilat me të dhënat e korrikut, që i kemi ne në dispozicion shënojnë 630 milionë euro apo me një rritje nëse e krahasojmë mbi baza vjetore del të jetë 140 përqind”.

Sipas Mehmetit, remitencat vazhdojnë të jenë në rritje, shënojnë 651 milionë euro apo me një rritje vjetore 24 përqind”, theksoi ai.

“Kjo ka bërë të kemi edhe rritje të kërkesave të brendshme në Kosovë gjë që ka quar në rritjen e importit në përqindje rreth 43.4 përqind, duke arrit vlerën 2.9 miliardë euro. Por, gjithashtu kemi edhe rritje të eksporteve, shprehur në përqindje rreth 63.4 përqind ka rritje të eksporteve që ka arrit vlerën 476 milionë euro. Kjo ka bërë që të thellohet edhe më tutje deficiti tregtar që ka arrit në 2.44 miliardë euro apo me një rritje vjetore prej 40 përqind”.

Guvernatori ka folur edhe për rritjen e çmimeve në vend, teksa shton se inflacioni ka shënuar rritje nga 0.2 në 1.6 përqind, ndërsa investimet e huaja kanë arrit 271 milionë euro.

Guvernatori Mehmeti ka treguar edhe mënyrën e fitimit të bankave në gjysmën e parë të këtij viti që kanë shënuar 55 milionë euro.

“Me të dhënat e qershorit, diku rreth 55 milionë euro është fitimi i bankave. Bankat vazhdojnë ta ruajnë atë normën e profitit që realisht e kanë ndër vite dhe realisht kjo nuk është si rezultat i rritjes së normave të interesit, por si rezultat i menaxhimit më të mirë të shpenzimeve ose zvogëlimit të shpenzimeve që bankat janë duke i bërë”, shtoi ai për KP.

Sa i përket institucioneve mikrofinanciare dhe financiare jobankare po ashtu, Mehmeti potencon se ka institucione të tilla, të cilat e kanë statutin e OJQ-së, teksa shtoi se këto funksionojnë si institucione financiare bazuar në legjislacionin në fuqi.

Në këtë sektor kreditë kanë arrit deri 220 milionë euro, me një rritje vjetore 5-7 për qind, përkundër që normat e interesit në këtë sektor mbesin të larta.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore