Lajme

Bota “e tmerruar” nga talebanët, a mund të shihen si partnerë diplomatikë?


Shtetet e Bashkuara të Amerikës legjitimuan talebanët kur Trump nënshkroi një marrëveshje me ta në vitin 2020; a do ta gjejë edhe Biden veten duke bashkëpunuar me talebanët?

Tërheqja e nxituar dhe e frikësuar e Shteteve të Bashkuara të diplomatëve, civilëve dhe ushtarëve të saj nga Afganistani nënkupton dështimin e fortë të strategjisë amerikane ndër dekada.

Nën udhëheqjen e talebanëve e ardhmja e vendit paraqitet si një makth – me pasoja veçanërisht të tmerrshme për gratë afgane, sistemin arsimor, shëndetësinë, të drejtat e njeriut dhe procesin e rehabilitimit.

Por periudha e errët që pret Afganistanin nën sundimin taleban nuk përjashton mundësinë e ndërtimit të marrëdhënieve të nivelit ndërkombëtar me grupin militant – ato që do t’i jepnin legjitimitet talebanëve dhe ndoshta do të ndihmonin në zbutjen e goditjes së pritshme për qytetarët afganë.

Talebanët tashmë kishin fituar legjitimitet kur ish-presidenti amerikan Donald Trump i njohu ata si partnerë në bisedimet diplomatike mbi të ardhmen e Afganistanit dhe nënshkroi një marrëveshje me ta që kërkonte të rregullonte -ndër të tjera – ndarjen e pushtetit politik midis tyre dhe qeverisë legjitime afgane.

Negociatat që përfaqësuesit amerikanë po zhvillonin në Katar deri në minutën e fundit, nën administrimin e Joe Biden, theksuan se SHBA-të nuk e njohin legjitimitetin e “Emiratit Islamik të Afganistanit” – siç e përcaktojnë talebanët – por vetë nënshkrimi i marrëveshjes është në thelb një certifikatë miratimi.

SHBA-të nuk janë fuqia e vetme që ka mbajtur lidhje me talebanët. Rusia dhe Kina këtë vit pritën përfaqësuesit e lëvizjes dhe zhvilluan bisedime për ndërtimin dhe forcimin e lidhjeve ekonomike përpara tërheqjes së forcave amerikane.

Arabia Saudite, India, Pakistani, Irani dhe Emiratet e Bashkuara Arabe kanë ndihmuar talebanët gjatë viteve dhe shpresojnë që tani të korrin frytet e investimeve të tyre, të cilat ndihmuan talebanët të ruajnë fuqinë e tyre dhe financimin e operacioneve.

Marrëdhëniet e Amerikës me talebanët i paraprijnë marrëveshjes së Trump-it me grupin në vitin 2020.

Në 1997-ën, vetëm një vit pasi talebanët morën kontrollin e Afganistanit, gjiganti amerikan i naftës “Unocal” priti një delegacion të udhëheqësve talebanë, përfshirë ish -ministrin e Jashtëm Mullah Mohammad Gaus.

Qëllimi i vizitës së delegacionit ishte të nënshkruante një marrëveshje për të ndërtuar një tubacion gazi që do të kalonte nga Turkmenistan-i përmes Afganistanit në Pakistan dhe Indi.

Sipas raporteve të asaj kohe, “Unocal” u premtoi talebanëve nga 50 deri në 100 milionë dollarë në vit si honorarë për përdorimin në territorin e saj dhe në këmbim të sigurimit të tubacionit.

“Unocal” gjithashtu hapi një qendër speciale në Kandahar nëpërmjet Universitetit të Nebraska-s në Omaha për të trajnuar profesionistë afganë në një investim prej rreth 900 mijë dollarë, i cili shërbeu si bazë për rekrutimin e punëtorëve për projektin.

Marrëveshja e gazsjellësit përfundoi pjesërisht për shkak të luftës civile në Afganistan dhe sulmeve të al-Qaeda-s ndaj ambasadave amerikane në Nairobi dhe Dar Es-Salaam, por kryesisht për shkak të presionit publik të SHBA-ve kundër trajtimit të talebanëve.

Por dialogu me talebanët vazhdoi kur ish-presidenti George W. Bush negocioi me udhëheqjen e tyre për të ekstraduar Osama bin Ladenin në këmbim të njohjes dhe ndihmës financiare.

Pas pushtimit amerikan të Afganistanit në 2001, udhëheqja e pushtimit caktoi Hamid Karzai si president. Një pozicion që ai e mbajti deri në vitin 2014.

Sipas disa raporteve, të cilat u mohuan, Karzai kishte shërbyer shkurtimisht si konsulent në “Unocal”. Ajo që nuk mund të mohohet ishte marrëdhënia e tij e ngushtë me talebanët dhe mbështetja e tij për ta.

Karzai është anëtar i fisit “Popalzai”, i njëjti fis me Abdul Ghani Bradar – presidenti i supozuar i Afganistanit nën talebanët – i cili kërkohej nga SHBA-të, i kapur në vitin 2010, i liruar në 2018-ën. Më vonë u bë partner i negociatave që amerikanët mbajtën me udhëheqjen talebane.

Nga ana tjetër është pothuajse e pamundur të kuptosh linjat që ndanin qeverinë e korruptuar të Karzai-t nga talebanët, Njëkohësisht ato lidhje ndihmuan dhe mund të vazhdojnë të ndihmojnë SHBA-të të gjejnë kanale në zemër të administratës së re talebane.

Të dyja palët kanë një interes të përbashkët ekonomik!

Jo vetëm që SHBA-të vazhduan të avancojnë idenë e një tubacioni gazi nga Turkmenistan-i, por e shndërruan atë në një projekt kryesor në 2014 që mund të gjenerojë fitime të mëdha për Afganistanin, Turkmenistan-in dhe kompanitë amerikane që pritej ta ndërtonin.

Edhe më e rëndësishmja, projekti ishte parashikuar të shërbente si një mënyrë për të anashkaluar tubacionin e gazit të Iranit. Vendet përmes të cilave do të punojë gazsjellësi – Turkmenistan-i, Afganistani, Pakistani dhe India – nënshkruan një marrëveshje për të ndërtuar tubacionin me një kosto të vlerësuar prej 7.5 miliardë dollarë.

Ndërtimi filloi në 2015-WN, dhe SHBA-të nuk janë partnere në financimin e ndërtimin e saj.

A duan Shtetet e Bashkuara të shkëputen nga kjo arenë në mënyrë diplomatike, jo vetëm ushtarake, dhe ta lënë Afganistanin nën patronazhin e Rusisë, Kinës dhe fqinjëve të saj?

Nëse Biden ka shënuar Rusinë dhe Kinën si pikat kryesore të politikës së tij të jashtme, ai do të duhet të vendosë nëse kjo politikë përfshin marrëdhëniet me aleatin e tyre, Afganistanin.

Ndërkohë është e vështirë të imagjinohet që një president amerikan i cili e ka bërë ruajtjen e të drejtave të njeriut një nga prioritetet e tij më të larta do të përqafojë papritur udhëheqjen talebane.

Nuk mund të hidhet poshtë plotësisht mundësia që ai ta konsiderojë seriozisht bashkëpunimin me talebanët – vetëm në përpjekje për të zvogëluar dëmin ndaj popullatës afgane.

Marrë nga Haaretz, përshtatur për Albanian Post!

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore