Lajme

Bosnja dhe Hercegovina merr vaksinat nga Serbia


Bosnja dhe Hercegovina mori dhjetë mijë vaksina nga shteti i Serbisë. Kjo vjen pas mosmarrëveshjes me mekanizmin ndërkombëtar COVAX, mbi një vonesë në dërgesat e planifikuara.

Shteti ballkanik ka kërcënuar të padisë programin nëse vaksinat nuk arrijnë siç është rënë dakord. Ajo ka kërkuar 1.2 milion vaksina që do të mbulonin rreth një të tretën e popullsisë së saj

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, fluturoi në kryeqytetin boshnjak Sarajevë për të shpërndarë vaksinat AstraZeneca tek autoritetet.

Dorëzimi është i mjaftueshëm që 5 mijë njerëz të marrin të dyja dozat e kërkuara.

Vuçiç e përshkroi masën si një akt solidariteti dhe kërkoi bashkëpunim më të ngushtë midis vendeve të Ballkanit.

Serbia filloi programin e saj të vaksinimit në janar, kryesisht me Sinopharm të Kinës dhe në një masë më të vogël me Pfizer-BioNTech, Sputnik V të Rusisë dhe së fundmi AstraZeneca.

Duke shfaqur një ndikim rajonal, Serbia ka dhuruar vaksina për kombet fqinje Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut që janë ende duke pritur për dërgesat.

Ministri i Punëve të Jashtme të Bosnjes, Bisera Turkoviç, shprehu rezerva, duke i thënë një Webfaqe lokale të lajmeve se vaksinat e dhuruara nga Serbia ishin prodhuar në Indi dhe këto vaksina ende nuk kanë miratim për përdorim në BE.

Turkoviç tha se BE-ja me siguri ka një arsye të vlefshme për mos miratimin e tyre dhe duhet pasur kujdes.

Duke iu përgjigjur kundërshtimeve, Vuçiç në një konferencë shtypi në aeroportin e Sarajevës të martën tha se çfarëdo vaksinash që kërkojnë qytetarët, “ne do t’i dorëzojmë”.

Historiku i marrëdhënieve

Marrëdhëniet me Serbinë kanë mbetur një çështje e ndjeshme në Bosnje dhe Hercegovinë që nga lufta 1992-1995, kur Beogradi mbështeti një përpjekje nga serbët e Bosnjes për të formuar mini-shtetin e tyre dhe për t’u bashkuar me Serbinë.

Lufta shpërtheu pas shpërbërjes së ish federatës Jugosllave. Ajo mori jetën e më shumë se 100 mijë njerëzve përpara se të përfundonte në një marrëveshje të ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e cila krijoi një entitet serb dhe një boshnjak-kroat me një qeveri të përbashkët boshnjake.

Vuçiç, një ish-nacionalist ekstrem i cili mbështeste përpjekjen e luftës së Serbëve të Bosnjës gjatë konfliktit, tha se ai ka propozuar një samit Serbi-Bosnje që do të mbahet në muajt e ardhshëm në Beograd për të zgjeruar bashkëpunimin ekonomik dhe tjetër.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore