Shqipëria

Bosi i bandës së Lushnjës


Kur arrita në Lushnjë atë ditë vere, klima më kujtoi menjëherë atë të një qyteti sicilian.

Në shesh, burrat e veshur me të zeza, me borsalinat e tyre të sheshta mbi kokë dhe syzet e diellit, mbanin nga një gotë raki në duar, pinin duhan dhe flisnin. Ashtu si në jug të Italisë, bisedat shoqëroheshin me gjeste të dukshme.

Gjithçka më kujtoi Corleone-n, për vite me radhë kryeqyteti i klanit më të fuqishëm të mafies siciliane, Cosa Nostra.

Përpara se të nisesha për atë udhëtim pune, kolegë e miq të ndryshëm më kishin treguar për zonën midis Lushnjës, Fierit dhe Vlorës, si zona ku ishte përqendruar trafiku i drogës dhe krimi i organizuar shqiptar. Por, kurrë, nuk e imagjinoja të gjeja një histori të dhunës brutale si ajo që m’u rrëfye, me një zë të ulët, në një kafene në periferi.

Karrigia ishte e vendosur në qendër të stadiumit, pikërisht aty ku mbahet fillimi i ndeshjeve. Një burrë e kishin ulur dhe shtrënguar fort në të. I burgosuri bërtiste, por fashoja që i mbyllte gojën i bënte protestat e tij edhe më të dëshpëruara.

Eksplozivi ishte vendosur poshtë karriges: një sasi e madhe TNT. Nga goditja i gjithë qyteti u drodh si të kishte pasur tërmet. Pasi pluhuri u shpërnda, grupi i autorëve të krimit mori kokën e viktimës që ishte shkëputur nga trupi pas shpërthimit dhe improvizoi një ndeshje futbolli, duke lënë stadiumin dhe duke udhëtuar në të gjithë Lushnjën drejt sheshit qendror.

Kështu, në korrik 1997, Alfred Shkurti, alias Aldo Bare, ish-agjent i Njësisë Speciale 326 të policisë shqiptare, mori hak ndaj bosit rival, Artur Daja, i cili i kishte vrarë të vëllanë, Ramadanin.

Sipas vëzhguesve të shumtë, Shkurti, i cili deri në atë kohë ishte vetëm një trafikant i thjeshtë droge, pas vrasjes së vëllait të tij, qe kthyer në atë që konsiderohet si gangsteri më i etur për gjak në Shqipëri.

Të nesërmen takova një tjetër dëshmitar të gatshëm të fliste për mizoritë e Shkurtit. Rrëfimi i tij ishte edhe më tronditës se ai i mëparshmi.

Një ditë, dikush sulmoi njerëzit e Shkurtit (Bares), duke vrarë njërin prej tyre për t’i marrë ngarkesën e kokainës. Kërkimi për fajtorin zgjati katër muaj.

Në momentin e ekzekutimit, bosi u ul në një fron të ndërtuar nga trarë druri dhe pjesë makine Mercedes. Fajtorin e zhveshën, e lidhën në një hell dhe i vunë në zjarr, si të ishte një qengj. Dhe ndërsa trupi digjej, plagët e tij spërkateshin me kripë.

Kur Aldo Bare u arrestua në Turqi, në mars të 2006-s, imazhet e bosit në pranga u përcollën nga edicionet e të gjitha lajmeve.

 

Historia e atij që quhej gangsteri më i rëndësishëm dhe i dhunshëm shqiptar më intrigoi dhe fillova të organizoja udhëtimin tim në Lushnjë. Një udhëtim që, në çdo qoshe, fshihte një histori më të tmerrshme se ato të mëparshmet.

Pas ekstradimit në Shqipëri, bosi, Aldo Bare, u akuzua për krijimin e një organizate kriminale, për 15 vrasje, rrëmbime, shkatërrim të pasurisë, shkelje të varreve, për vendosjen e një eksplozivi në stadiumin e Lushnjës, për vendosje eksplozivi në banesën e inspektorit të policisë, Idriz Shuli, vrasjen e Klodian Haxhiut, vendosjen e eksplozivëve në një apartament në rrugën “Don Bosko” në Tiranë, vrasjen e Baki Taullahut dhe një sërë vrasjesh të tjera.

Në krye të një bande kriminale prej rreth pesëmbëdhjetë personash, Aldo Bare kishte terrorizuar qytetin e Lushnjës. Ai kishte grumbulluar një pasuri që përfshinte, ndër të tjera, Lagunën e Karavastasë prej 14 mijë metrash katrorë dhe ekipin e futbollit të qytetit që ai kishte ringjallur, duke sjellë kampionin brazilian, Zico, si trajner.

Policia italiane pretendonte se ai ishte në gjendje të transferonte deri në shtatëdhjetë kilogramë heroinë ose kokainë në Itali në vetëm një udhëtim. Bare kontrollonte rrugë të sigurta që kalonin nga Vlora në Puglia dhe Molise në Itali, për të arritur më pas në tregjet e veriut të Evropës. Por, aktivitetet e bandës së Lushnjës shtriheshin edhe në Spanjë dhe Francë.

Aldo Bare u dënua me gati dyqind e pesëdhjetë vjet burg. Dhe nëse nuk do të kishte qenë për atë vendim gjykate që ndëshkoi ato vrasje të pabesueshme, unë do të kthehesha në shtëpi me dyshimin se kisha jetuar në Lushnjë vetëm një makth të tmerrshëm.

 

Më 8 mars 2017, Gjykata e Lartë anuloi dënimin me burg të përjetshëm që ishte vendosur ndaj Alfred Shkurtit, alias Aldo Bare: bosi i bandës së Lushnjës. Ai sot vazhdon të jetë në qelinë e tij në burgun e Fushë-Krujës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore