Lajme

Borrell për çështjen e targave: Jam duke nxitur diçka që mund ta pranojnë të dyja palët


Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell.

Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, konsideron se çështja e targave është vështirë për t’u zgjidhur.

Sipas tij, kjo çështje në Kosovë duhet të zgjidhet duke kuptuar pozicionet e të dyja vendeve: Kosovës dhe Serbisë.

“Jam duke nxitur diçka që mund ta pranojnë të dyja palët”, ka thënë Borrell për Radio Evropën e Lirë.

I pyetur se a mendon që të dyja palët të pranojnë një marrëveshje që do të propozohet nga ai, Borrell është përgjigjur shkurt duke thënë “të shohim”.

Ndërkaq, ka folur edhe për rolin e tij në mes dy vendeve, duke pohuar se mundohet t’i kuptoj pozicionet e dy vendeve.

Targat ilegale GL.

“Ju e dini, në rolin tim, unë duhet të përpiqem të kuptoj çdo pozicion. Pozicionet e serbëve dhe të kosovarëve. Çfarë qëndron pas kësaj çështjeje të identitetit, të qenët në një shtet, të qenët komb, të mos njihet nga shumë vende të botës, edhe brenda Bashkimit Evropian”.

Pavarësisht, që konsideron se çështja e targave është mjaft vështirë e realizueshme ai shprehet optimist.

“E kemi zgjidhur problemin e kartave të identitetit dhe le të themi pasaportës, lëvizjes së lirë të njerëzve. Çështja e targave është më e vështirë për t’u zgjidhur, sepse nuk është vetëm dikush që lëviz, është një pronë që mund të shitet dhe të blihet. Por, unë jam optimist”.

Çka janë targat KM?

Targat me mbishkrimin “KM” (Kosovska Mitrovica) janë targa që Kosova deri i konsidero ilegale për arsye se Serbia i lëshon ato duke pretenduar Mitrovicën si pjesë territoriale të saj.

Targat “KM” prodhohen dhe lëshohen nga Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë.

Sistemi i targave në Serbi është bazuar në qytetet dhe meqë ata e konsiderojnë Mitrovicën dhe në përgjithësi Kosovën, pjesë administrative të tyren, atëherë vazhdojnë të lëshojnë tabela me “KM”.

Ka dy lloje të këtyre tabelave – ato të vjetrat, që jepeshin para vitit 1999, por edhe me sistemin e ri të tabelave në Serbi, janë prodhuar përsëri targa me iniciale të qyteteve të Kosovës.

Në Kosovë, përkundër se shiheshin vetura në qarkullim me këso lloj targash, ato nga institucionet zyrtare janë konsideruar gjithmonë ilegale.

Çfarë thotë Marrëveshja e Brukselit për targat e Kosovës?

Në vitin 2011 në Bruksel është arritur marrëveshja për lirinë e lëvizjes midis Kosovës dhe Serbisë.

Targat serbe me shenjat e qyteteve të Kosovës, si “PR” (Prishtinë), “GL” (Gjilan) “KM” (Mitrovicë), etj., duhej të hiqeshin. Do të thotë, automjetet me targa të tilla është dashur të regjistrohen me RKS (Republika e Kosovës) ose me status neutral (KS- Kosovë).

“Të gjithë pronarët e makinave me vendbanim në Kosovë do të përdorin targa RKS ose KS. Ato do të lëshohen nga autoritetet përgjegjëse në Kosovë”, thuhet në pikën 7 të Marrëveshjes për lirinë e lëvizjes.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore