Lajme

Borrell me tri kërkesa “të qarta” për Kosovën: Dështimi për t’i realizuar, do të ketë pasoja të rënda


Josep Borrell

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë, Josep Borrell, nëpërmjet një cicërime në “Twitter”, ka treguar tri kërkesat që ia ka bërë të enjten Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, në Kishinau të Moldavisë.

Borrell zhvilloi një takim me presidenten Osmani, kancelarin gjerman Olaf Scholz dhe presidentin francez Emmanuel Macron në margjinat e samitit të dytë të Komunitet Politik, ku është diskutuar ekskluzivisht për zhvillimet e fundit politike dhe të sigurisë në pjesën veriore të Kosovës.

Shefi i diplomacisë evropiane në mënyrë të drejtpërdrejtë tregoi se Bashkimi Evropian ka tri kërkesa “të qarta” për autoritetet kosovare, të cilat nëse nuk përmbushen “do të kenë pasoja serioze në marrëdhëniet tona me Kosovën”.

“Zgjedhjet të reja në veri menjëherë, garantimi i pjesëmarrjes së serbëve të Kosovës dhe nisja e punës për themelimin e Asocicionit të Komunave me Shumicë Serbe. Dështimi për të bërë këtë, do të ketë pasoja serioze për marrëdhëniet tona”, shkroi Borrell.

Presidentja Osmani nga Kishinau i Moldavisë ka njoftuar se Kosova është e gatshme t’i dëgjojë kërkesat e serbëve lokalë, ndoshta edhe të pajtohet për rizgjedhje në katër komunat veriore – Leposaviq, Zveçan, Zubin Potok dhe Mitrovicë e Veriut – pas tensioneve të fundit atje.

Osmani të enjten zhvilloi një takim me kancelarin gjerman, presidentin francez dhe kreun e diplomacisë evropiane në margjinat e samitit të dytë të Komunitet Politik, ku është diskutuar ekskluzivisht për hapat e mëtejshëm në qetësimin e situatës në veri të vendit.

“…ka qenë kërkesë e qartë e Gjermanisë dhe Francës që kurdo që organizohen zgjedhjet e reja të ketë participim, që të mos iu ndalohet serbëve që të participojnë. Brenda ligjeve tona, brenda kushtetutës tonë, ekziston mundësia që të ketë zgjedhje të reja”, tha Osmani, porse me kusht që serbët të marrin pjesë, e jo t’i bojkotojnë.

“Mirëpo është me rëndësi që serbët në veri të marrin pjesë. Participimi është parakusht esencial në demokraci. Ata duhet të marrin pjesë dhe t’i zgjedhin kryetarët që ata dëshirojnë. Natyrisht, të sigurohet që të drejtat e tyre zbatohen nëpërjmet përfaqësuesve që ata zgjedhin”, shtoi shefja e shtetit.

Osmani gjithashtu njoftoi se të enjten është zhvilluar edhe një takim i përbashkët joformal me Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ku ishin të pranishëm presidenti Macron, kancelari Scholz dhe kryediplomati Borrell.

1 qershor 2023/Kishinau, Moldavi

“Ishte një takim 10 minutësh, ku edhe  njëherë u konfirmua se Vuçiç nuk është i interesuar për zgjidhje e as nuk është i interesuar për paqe, por është burimi kryesor i jostabilitetit në rajon. Unë do të vazhdojë të punoj me aleatët tanë për disa prej çështjeve që ata i propozuan. Vullnetin e kemi të përbashkët”, tha Osmani.

Zgjedhjet e 23 prillit në veri ishin mbajtur pa asnjë incident, por nga mbi 40 mijë qytetarë me të drejtë vote atje, votuan vetëm diçka më shumë se 1 mijë. Ato, sipas ligjeve të Kosovës, janë legale, por nuk kanë legjitimitet, sepse në katër komunat e banuara kryesisht me shumicë serbe votuan pos 13 serbë.

Komuniteti ndërkombëtar ka paralajmëruar pasoja për Kosovën, pas përplasjes së serbëve të veriut me policinë, e cila të premten, me vendim të kryeministrit Albin Kurti realizoi aksionin për t’ua mundësuar qasjen në zyra kryetarëve të rinj të tri komunave veriore – Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet tjera partenre të QUINT-it (Gjermania, Franca, Italia dhe Britania e Madhe), e kanë bërë fajtore Qeverinë e Kosovës dhe kryeministrin Kurti për tensionimin e situatës në veriun e vendit të banuar me serbë etnikë.

Aktualisht, në veri ekziston pak ose aspak rendi publik, udhëheqja nuk gëzon as autoritet, as besnikëri, ndërsa bandat e dirigjuara nga Beogradi i kërcënojnë me rezistencë institucionet kosovare që po mundohen të integrojnë komunitetin serb dhe të vendosin një rend efektiv.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore