Lajme

Borrell: Lufta në Ukrainë mund të përfundojë si në Kore


Josep Borell

Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell  vlerësoi se “është e mundur që lufta në Ukrainë të mos përfundojë, të zvarritet si në Kore (1953) dhe të ketë një armëpushim dhe përcaktim të vijës ndarëse”.

Lajmi u bë i ditur nga gazeta spanjolle Vanguardia, duke cituar fjalën e tij në një diskutim në Qendrën për Çështjet Ndërkombëtare në Barcelonë (CIDOB).

Sipas Borrell, kjo “mund të jetë një rrugëdalje nga lufta” edhe pse shpesh flitet se kush mund të fitojë.

Ai vuri në dukje se do të ishte e nevojshme që konflikti i armatosur ukrainas të zhvillohet si në Kore, “palët ukrainase dhe ruse të tërhiqen nga pozicionet e tyre” dhe të heqin dorë nga kërkesat, mbrojtja ose pushtimi i territoreve.

Kreu i diplomacisë evropiane e bëri të qartë gjithashtu se detyra e tij është të bindë ato vende që nuk duan të marrin anën në luftën e Ukrainës se “ana e keqe në atë film është Rusia, jo sanksionet e BE-së”.

Lufta Koreane në vitin 1953 përfundoi me një pakt armëpushimi dhe mossulmimi të nënshkruar nga Koreja e Veriut dhe Shtetet e Bashkuara si aleate e Koresë së Jugut.

Në parim, vëren Vanguardia, ajo marrëveshje supozohej të çonte në një marrëveshje përfundimtare paqeje, dhe vendi është ende i ndarë nga një zonë e demilitarizuar.

Borrell deklaroi gjithashtu se “është ende shumë herët për të menduar për ndonjë negociatë paqeje”, as se tashmë është duke u konsideruar ndonjë rindërtim i Ukrainës, por “të gjitha përpjekjet duhet të përqendrohen në shmangien e shkatërrimit të mëtejshëm”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore