Kosova

Borrell dhe Blinken kërkojnë vazhdimin e dialogut Kosovë-Serbi


Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken dhe shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell.

Shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, është takuar me Sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken, ata diskutuan dhe u pajtuan që duhet të ndërmerren hapa për shtensionim në veri të Kosovës dhe që sa më parë të vazhdojë dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Duke iu referuar zhvillimeve të fundit, theksuan nevojën për përshkallëzim dhe riangazhim në negociata. Ata u pajtuan që të forcojnë më tej bashkëpunimin e tyre në këto çështje”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga zyra e BE-së.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, vlerësoi “mbështetjen e vazhdueshme” të Bashkimit Evropian për, siç tha, perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor.

Blinken po ashtu theksoi nevojën për të çuar përpara bisedimet e anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, u tha në një deklaratë të lëshuar nga Departamenti amerikan i Shtetit.

Gjatë qëndrimit të Borrellit në SHBA, ai ka zhvilluar biseda telefonike me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç.

Sipas zëdhënësit të Bashkimit Evropian, Peter Stano, këto bisedime kanë pasur për qëllim uljen e tensioneve dhe kthimin e palëve në tryezën e dialogut.

Ai ka shtuar se këto biseda janë zhvilluar po ashtu që të mos përsëriten tensionet dhe trazirat që u panë më 13 tetor në Mitrovicë të Veriut dhe Zveçan.

Stano u pyet për ndonjë datë të mundshme të vazhdimit të dialogut të lehtësuar nga BE-ja dhe ai tha se “po punohet në këtë drejtim”, por BE-ja do të njoftojë për takime vetëm do të ketë datë dhe agjendë konkrete.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken dhe shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell. 

Përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri i Bashkimit Evropian, Josep Borell për aksionin e Policisë së Kosovës në Veri të vendit për mallra të kontrabanduara e kishte cilësuar si veprim të njëanshëm.

“Veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara që rrezikojnë stabilitetin janë të papranueshme”.

Sipas tij, “incidentet e dhunshme” në Veri të Kosovës duhet të ndalen menjëherë.

“Të gjitha çështjet e hapura duhet të adresohen përmes Dialogut të lehtësuar nga BE. Ne jemi në kontakt me Beogradin dhe Prishtinën”, ka shkruar Borell më 13 tetor në Tëitter.

Kjo komunikatë vjen pas tensioneve të fundit që ndodhën në veri të Kosovës.

Aksioni i cili nisi në orët e hershme të mërkurën e 13 gushtit, për dallim nga vendet tjera, në Mitrovicën e Veriut hasi në rezistencë.

Pjesëtar të Policisë së Kosovës janë sulmuar nga qytetarë të mllefosur gjatë aksionit që policia ndërmori kundër kontrabandës së mallrave atje.

Me dhjetëra qytetarë serb u mblodhën në afërsi të një barnatore në të cilën Policia po konfiskonte mallrat e kontrabanduara dhe po kërkonte pronarin, i cili ishte i njohur për veprimtarinë kriminele tek organet e rendit.

Serbët sulmuan Policët duke hedhur në drejtim të tyre, gurë, mjete piroteknike e granata luftarake të dorës. U raportua edhe për të shtëna me armë zjarri.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore