Lajme

Kosova s’e pranoi propozimin e BE-së, Serbia po – çka tash?


Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell

Josep Borell, shefi i Diplomacisë së Bashkimit Evropian, ka dhënë një nga deklaratat më negative për Kosovën pas takimit të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

“Kishim një propozim”, tha Borell, “Presidenti Vuçiç e pranoi, kryeministri Kurti jo”.

“Për hir të transparencës më duhet të them se i vëmë para një propozim që do ta evitonte këtë situatë. Vuçiç e pranoi propozimin. Kurti nuk e pranoi. Rendi dhe ligji nuk duhet të shfrytëzohet si pretekst për eskalime”, deklaroi Borell.

Propozimi ishte ky: Kosova të suspendojë masat e shkallëzuar për targat ilegale dhe ta shtyjë vendimin, derisa Serbia të mos lëshojë më targa me iniciale “KM” e akronime të qyteteve të tjera.

Për këtë sjellje të palëve, deklaroi Borell, duke shtuar se veçanërisht për sjelljen e palës së Kosovës, do t’i informojë shtetet anëtare të Bashkimit Evropian.

“Unë do t’i informoj kolegët e mi nga shtetet anëtare për sjelljen e palëve dhe mungesën e respektit për obligimet ndërkombëtare dhe këtë po e them pikërisht për Kosovën”, shtoi Borell.

“E di tingëllon sinjal shumë negativ politik”, deklaroi shefi i politikë së jashtme të BE-së.

Por, vazhdoi ai “unë ua bëra të qartë se nëse keni synim BE-në do të duhej të silleshit ashtu”.

Josep Borell gjate konferences per media

Çfarë ndodhë tash?

Sipas Borell, nëse ndodhë që të ketë eskalim të situatës, palët “kanë përgjegjësi të madhe për dështimin e bisedimeve sot”.

Meqë marrëveshje nuk u arrit, ai ka pasur një kërkesë për të dyja palët.

“Për të evituar eskalimet do të bëj një lutje. Do të doja të ketë një marrëveshje, por meqë nuk ka, më lejoni të bëj një thirrje: fillimisht kërkoi nga Kosova që menjëherë të suspendojë fazat e ardhshme për ri-regjistrim të veturave në veri të Kosovës. E përsëris. Pres nga Kosova që menjëherë t’i suspendojë fazat në lidhje me targat. Kurse pres nga Serbia që të mos lëshojë më targa me inicialet ‘KM’ dhe targa të tjera me akronime të qyteteve të Kosovës”.

Kjo, sipas Borell, “do të lejonte që të shohim për një marrëveshje më të gjerë në kuadër të marrëveshjes së përgjithshme”.

Gjithsesi, ka përsëritur se situata aktuale “na lë në vakum të rrezikshëm në terren në një kohë edhe ashtu fragjile”.

“Po kemi EULEX-in atje dhe trupat e KFOR-it, por ata nuk mund të marrin rolin e policisë, nuk është në mandatin e tyre as në kapacitetin e tyre”.

“BE vazhdimisht ka thirrur për de-eskalim”, tha Borell, dhe “takimi sot ishte për përgjegjësinë e liderëve për ta de-esklauar situatën”.

“Ua kam bërë të qartë të dy palëve që s’mund të vazhdojë kështu. Ky rreth afatesh duhet të ndalet. Ata të dy janë liderë me mandat të fuqishëm dhe pres të shoh lidership”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore