Lajme

“Bonot e diasporës, mundësi e mirë për zhvillim ekonomik”


Bonot për Diasporën

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, përmes një postimi në Facebook ka ftuar bashkëatdhetarët që të blejnë Bonot e Diasporës, përmes së cilave sipas Muratit mund të investohet në kursime.

“Bonot e Diasporës janë mundësi e mirë që ju t’i investoni kursimet tuaja duke i vënë ato në funksion të zhvillimit ekonomik të vendit, dhe njëkohësisht të përfitoni edhe interes nga investimi juaj. Pas arritjes së afatit kohor të maturimit (3 vite dhe 5 vite), investimi u kthehet në shumën e plotë që keni investuar“, ka shkruar Murati.

Ndërkaq, bëri të ditur se afati për investim në Bono të Diasporës është deri më 18 gusht.

“Afati deri kur mund të investoni në Bono të Diasporës është data 18 gusht, dhe këtë mund ta bëni duke u drejtuar në njërën nga bankat partnere, nëpërmes të cilave bëhet shitja”, ka shkruar Murati.

Ky vendim i ekzekutivit kosovar, shihet si vendim i qëlluar nga kryesuesi i Komitetit të Financave të Odës Ekonomike Amerikane, Milazim Abazi.

Ai pati thënë për Albanian Post se bonot e thesarit janë të ardhura të mira edhe për diasporën.

“Vendimi i Qeverisë së Kosovës, për të lëshuar në shitje bono thesari të dedikuar enkas për diasporën është një vendim shumë i qëlluar”, kishte thënë Abazi.

Remitencat e pranuara në Kosovë kanë kapur vlerën prej 980 mijë e 1 milionë eurosh në vitin 2020 që paraqet një rritje vjetore prej 15.1 për qind.

Përgjatë viteve, mjetet e dërguara në Kosovë nga qytetarët e saj, që jetojnë dhe punojnë në vende të ndryshme të botës, në vit kanë qenë në mbi gjysmë miliard euro.

Ndërsa, sipas Bankës Qendrore të Kosovës, deri në fund të vitit 2021, remitencat pritet të shënojnë rritje vjetore prej rreth 11.8 për qind.

Numri i qytetarëve të Kosovës që jetojnë jashtë vendit, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, deri në fund të vitit 2018 ka qenë mbi 850 mijë.

Qytetarët e Kosovës jetojnë në numër më të madh në Gjermani dhe në Zvicër dhe remitencat, sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës, dërgohen kryesisht nga këto vende.

Bonot e Thesarit – janë letra me vlerë afatshkurtra, të cilat maturojnë (përfundojnë) në më pak se një vit nga data e lëshimit të tyre në treg.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore