Lajme

Bonot e dedikuara për diasporën e Kosovës – investim i qëlluar


Ilustrim

Ministri i Financave dhe Transfereve në Qeverinë e Kosovës, Hekuran Murati, pati bërë të ditur më 6 korrik, se mes Bankës Qendrore të Kosovës dhe gjashtë bankave komerciale është nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi për emetimin e bonove të dedikuara për diasporën, deri në një vlerë të tyre prej 20 milionë euro.

“Periudha e shitjes do të jetë e hapur nga 21 korriku deri më datën 18 gusht, kurse shitja përfundimtare do të bëhet më 20 gusht. Shuma totale që është paraparë, është 20 milionë euro, por sipas rregullores, mund të rritet 50 për qind nëse ka kërkesë shtesë”, tha Murati.

Ky vendim i ekzekutivit kosovar, shihet si vendim i qëlluar nga kryesuesi i Komitetit të Financave të Odës Ekonomike Amerikane, Milazim Abazi.

Për Albanian Post ai thotë se bonot e thesarit janë të ardhura të mira edhe për diasporën.

“Vendimi i Qeverisë së Kosovës, për të lëshuar në shitje bono thesari të dedikuar enkas për diasporën është një vendim shumë i qëlluar”.

Sipas tij, me këtë vendim përfitojnë të dy palët: Qeveria rrit buxhetin e saj dhe mundësitë për të investuar në projekte kapitale që janë shumë të nevojshme për Kosovën.

Më tej, Abazi thekson se fitimi në blerje të bonove të thesareve është dukshëm më i mirë se sa interesi që ofrojnë bankat për kursimet.

“Investimi në bono thesari nga diaspora kosovare paraqitet edhe si ndihmesë për të përkrahur zhvillimin ekonomik të Kosovës edhe si investim i sigurt për interesa personale të secilit investitorë të diasporës”.

Sipas Abazit, “investimi në Kosovë paraqet edhe ndihmë patriotike për forcimin e Kosovës, por edhe për rritjen e parave të tyre”.

Ndërkaq, eksperti i financave, Astrit Ratkoceri, ka thënë për AP se emetimi i bonove është bërë me qëllim të mbledhjes së mjeteve financiare.

“Varësisht nga shfrytëzimi i tyre, ato mund të kenë efekt pozitiv në ekonominë e vendit. Edhe  pse duke pasur parasysh shumën prej 20 milionë euro, sigurisht që nuk mund të priten mrekulli”, ka theksuar Ratkoceri.

Por, sipas tij, “vendime të tilla janë të duhura dhe të nevojshme sa herë që Qeveria ka nevojë për mbledhjen e parave, kjo është një mundësi shumë e mirë që kapitali i diasporës sonë të mos shkojë vetëm për konsum, por të përdoret për të investuar në këto bono”.

Ekonomia e Kosovës vazhdon të jetë e varur nga paratë e diasporës.

Remitencat e pranuara në Kosovë kanë kapur vlerën prej 980.1 milionë eurosh në vitin 2020 që paraqet një rritje vjetore prej 15.1 për qind.

Përgjatë viteve, mjetet e dërguara në Kosovë nga qytetarët e saj, që jetojnë dhe punojnë në vende të ndryshme të botës, në vit kanë qenë në mbi gjysmë miliard euro.

Ndërsa, sipas Bankës Qendrore të Kosovës, deri në fund të vitit 2021, remitencat pritet të shënojnë rritje vjetore prej rreth 11.8 për qind.

Numri i qytetarëve të Kosovës që jetojnë jashtë vendit, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, deri në fund të vitit 2018 ka qenë mbi 850 mijë.

Qytetarët e Kosovës jetojnë në numër më të madh në Gjermani dhe në Zvicër dhe remitencat, sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës, dërgohen kryesisht nga këto vende.

Çka janë bonot e thesarit?

Bonot e Thesarit – janë letra me vlerë afatshkurtra, të cilat maturojnë (përfundojnë) në më pak se një vit nga data e lëshimit të tyre në treg.

Ato emetohen me afate maturimi: 3-mujor, 6-mujor dhe 1-vjeçar.

Bonot e Thesarit blihen me një çmim, i cili është më i ultët se sa vlera nominale e tyre në maturim; kur ato maturojnë, qeveria paguan vlerën nominale të tyre.

Interesi i marrë nga ato paraqet diferencën në mes të çmimit të blerjes dhe çmimit nominal që qeveria e paguan në datën e maturimit.

Obligacionet Qeveritare – janë letra me vlerë afatgjata, të cilat maturojnë në afat më të gjatë se 1 vit.

Kur një investitor blen këto letra me vlerë, ata në fakt i japin kredi shtetit, nga i cili investim ata përfitojnë interes periodik (në një apo më shumë data të caktuara përgjatë vitit) në formë të kuponëve të interesit.

Ndërsa në datën e maturimit të obligacionit, investitorët marrin shumën e plotë të investuar në fillim.

Si mund të blihen Letrat me Vlerë të Qeverisë?

Përmes Tregut Primar: Klientët, përmes bankave të cilat janë Akter Primar, mund të blejnë letra me vlerë të qeverisë drejtpërdrejt në ankand.

Përmes Tregut Sekondar: Klientët, të cilët janë mbajtës të letrave me vlerë të Qeverisë, mund t’i tregtojnë ato mes tyre.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore