Lajme

Bombat në Kashmir paralajmërojnë trazira në rajon.


Popullsia e afganistanit ka qënë dëshmitare e një vale të sulmeve me “bombë me telekomandim”, kohëve të fundit.

Ardhja e tyre në krahinën e diskutueshme të administruar nga India, Kashmir, po ngre shqetësime se një kryengritje e dhunshme e stilit Taliban mund të ndodhë së shpejti edhe në këtë rajon.

“Këto bomba janë një kërcënim për forcat e sigurisë. Ne kemi lëshuar urdhra që policia të qëndrojë vigjilentë,” tha Deutsche Welle (DW), Rajesh Sharma, një zyrtar i lartë i policisë në rrethin Samba.

Pajisjet Eksplozive të Improvizuara të Bashkangjitura me Magnet (MIED), mund të ngjiten në një automjet dhe të shpërthehen në distancë.

Zyrtarët kanë frikë se prania e tyre mund të jetë një shenjë e dhunës së afërt në rajonin e diskutueshëm.

Kryengritësit myslimanë kanë luftuar forcat indiane në Kashmir që nga viti 1989. Rajoni ka 12 milionë banorë, rreth 70% e të cilëve janë myslimanë.

Dy nga tre luftërat që India dhe Pakistani kanë bërë që nga pavarësia e tyre në 1947, kanë qenë për Kashmir-in. Të dy shtetet e  pretendojnë si rajonin e tyre, por qeverisin pjesërisht.

Në muajin gusht të 2019-ës, qeveria e kryeministrit indian, Narendra Modi, shfuqizoi statusin gjysëm-autonom të Kashmirit dhe ndau shtetin në dy territore të qeverisura federalisht.

Ky vendim shkaktoi trazira. Forcat indiane të sigurisë u detyruan të kufizojnë lëvizjen publike.

Hetimi i origjinës së bombave

Zyrtari i policisë, Rajesh Sharma, pretendon se bombat vijnë nga Pakistani, i cili administron një pjesë të kufirit në Kashmir.

Sidoqoftë, pretendimi se militantët me bazë në Pakistan kanë një rol në këto aktivite kriminale nuk është vërtetuar.

Sharma thotë se bombat kanë për destinacion Frontin e Rezistencës (TRF), një organizatë militante që u shfaq pas abrogimit të statusit special të Kashmirit.

Mukesh Singh, inspektor i përgjithshëm i policisë në Jammu, tha për DW se ekspertët po analizojnë nëse këto janë të njëjtat pajisje shpërthyese që përdoren nga Talibanët në Afganistan.

“Ne jemi në pritje të një raporti mjeko-ligjor. Tani për tani, nuk mund të themi se nga kanë ardhur”.

Alarm sigurie

Kashmiri është zona më e militarizuar në botë.

Më shumë se 500 mijë trupa indianë kanë mbetur të vendosura në rajon që nga viti 1989, kur shpërtheu kryengritja e dhunshme pro pavarësisë.

Trupat indiane  shpesh herë akuzohen për kryerjen e abuzimeve kundër civilëve.

Kjo ngre shqetësime se sulmet e mundshme me bomba ndaj forcave të sigurisë, mund të dëmtojnë gjithashtu civilët.

Zyrtarët e sigurimit thonë se janë të vetëdijshëm për kërcënimin që MIED paraqet për popullatën civile.

Akuzat kundrejt Pakistanit

Një zyrtar i lartë i antiterrorizmit, i cili dëshironte të mbetej anonim, tregoi për  DW-në se bombat ngjitëse përbëjnë një sfidë të re për forcat e sigurisë.

Ai gjithashtu akuzoi agjensinë spiune të Shërbimeve të Inteligjencës Ndërkombëtare (ISI) të Pakistanit për ndihmën e militantëve me pajisjet shpërthyese.

Islamabad-i mohoi akuzat se mbështet grupe militante në Kashmir.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore