Kosova

Bombardimet e NATO-s në sytë e kameramanit Sylejman Kllokoqi


Foto: Albanian Post.

Së bashku me kamerën e tij Sylejman Kllokoqi ishte dëshmitar në 7 luftëra gjithandej botës.

Fatkeqësisht, një prej tyre, ishte në vendin e tij, në Kosovë.

Ai kishte siguruar pamje dokumentuese jashtëzakonisht të rëndësishme gjatë viteve 1998-1999.

Megjithatë, me objektivin e tij nuk e pati mundësinë që ta regjistronte njërin ndër momentet historike të shqiptarëve – fillimin e bombardimit të NATO-s.

Kur NATO-ja filloi fushatën Kllokoqit nuk iu dha mundësia që të xhirojë për shkak të rrezikshmërisë së lartë që ishte në vitin 1999.

Në kamerë jo, por e ka të regjistruar në kujtesën e tij çdo detaj të asaj kohe.

Në 24 vjetorin e bombardimeve Kllokoqi ka dhënë një intervistë për Albanian Post, rreth kujtimeve të intervenimit të NATO-s mbi caqet ushtarake dhe policore serbe.

Në foto kameramani Sylejman Kllokoqi.

Albanian Post: Zotëri Kllokoqi, fillimisht nëse mund ta na kujtoni si dhe ku keni qenë ju gjatë bombardimeve të NATO-s në vitin 1999?

Sylejman Kllokoqi: E kam parë pjesën e bombardimeve, kolonën e njerëzve duke u larguar si në kohën e Hitleri-it kur largonte gjermanët nga qyteti. Mirëpo, bombardimet kanë qenë gëzim shumë i madh i joni.

Pas Reçakut, atëherë kur edhe kisha bërë edhe një tregim të madh, filluan negociatat dhe është ditur që do të vinin bombardimet. Kur filluan serbët kanë hyrë në podrume, kurse shqiptarët dilnin në terasa ku shikonin avionët e pjesën ku kishte bomba.

Gëzimi im më i madh i dyti ishte kur kanë hyrë trupat e NATO-s dhe kur e kam hapur derën e shtëpisë dhe i kam parë gurët që i kishin hedhur britanikët para derës së shtëpisë sime, do të thotë ajo ka qenë lumturia më e madhe pas tre muajsh.

Në kohën e luftës ndaj meje ishte përdorur dhunë fizike nga policia dhe pastaj kam qenë i kërkuar nga ta. Gjatë bombardimeve, gjatë gjithë kohës kam qenë në Kosovë, pra në Prishtinë, por jo me kamerë që të dalë në rrugë.

Albanian Post: Pse nuk xhiruat, e kishit të pamundur?

Sylejman Kllokoqi: Në lagjen time, ku kam banuar unë, gjatë gjithë kohës ka qenë policia, ata në momentin që kanë parë një person jashtë shtëpisë e kanë kapur. Unë kam qenë i rrezikuar prej tyre prandaj edhe nuk kam mundur të xhiroj atë ditë.

Në atë kohë nuk ka pasur kameraman, në atë kohë ka pasur vetëm xhirues që kanë qenë afër me Serbinë, siç kanë qenë gazetarët dhe kameramanët e Serbisë, ose të Greqisë që kanë qenë të afërt me serbët dhe kanë qenë edhe ata të Spanjës.

Mirëpo, të tjerë gazetarë e kameramanë nuk ka pasur, sepse ditën e bombardimeve kanë ikur të gjithë. I kanë dëbuar prej hotel Grandit të gjithë gazetarët.

Ndërsa, në momentin e bombardimeve të gjithë raportuesit që ishin nga mediat ndërkombëtare të njohura si BBC e CNN, i kanë larguar policia dhe i kanë lënë vetëm disa prej tyre.

Albanian Post: Çfarë mendonit atë kohë, atë ditë të bombardimeve?

Sylejman Kllokoqi: Në të gjithë sytë e shqiptarëve bombardimet kanë qenë një kënaqësi, konsideroj që ka qenë edhe dita më e madhe që prejse ekziston kombi shqiptar. Ne kur filluan bombardimet, ishim të gëzuar të gjithë, por kur filloi represioni brenda qytetarëve vjedhja, plaçkitja, vrasja ajo veç u bë edhe më shqetësuese tek qytetarët.

Por, ishte shumë e rëndë të jesh tre muaj e sa ditë në Prishtinë nën okupim. Edhe ushqim nuk mund të siguroje dot. Ke mbijetuar vetëm përmes rezervave që i ke pasur në shtëpi.

Nuk ke mundur ta hapësh derën e oborrit sepse çdokund, çdo mëhallë e ka pasur kujdestarinë e policisë serbe që sillej aty dhe të gjithë e kemi menduar vetëm momentin në shtëpi kur të hyjnë serbët.

Albanian Post: Po para bombardimeve sa ka qenë sfiduese ta ushtroni profesionin në kohë lufte?

Sylejman Kllokoqi: Në atë kohë ka qenë tejet e vështirë. Para bombardimeve të shkosh me kamerë deri në Pejë ke pasur gjatë gjithë kohës policë të cilët të kanë ndaluar. Unë edhe që kam qenë kameraman ndërkombëtar dhe që kam pasur një leje, gjithmonë ka qenë e vështirë të kalosh në të ashtuquajturat “check point”. Kjo ju ka ndodhur gjatë gjithë kohës kolegëve të mijë.

Ka ndodhur për shembull që policia e kanë marrë një shqiptar dhe e kanë rrahur e kanë malltretuar. Do të thotë të gjitha këto kanë treguar për një rrezik tejet të lartë.

Albanian Post: Çfarë do të thotë të jesh dokumentues i luftërave përmes kamerës?

Sylejman Kllokoqi: Xhirimet e mija kanë shkuar në të gjithë botën, kjo ka qenë me shumë rëndësi që unë si shqiptarë t’i shpërndaj se çfarë po ndodh këtu gjatë luftës. Kurse, eksperiencën time e kam forcuar pak më herët, sepse ka qenë lufta në Slloveni ku kishte filluar shkatërrimi i Jugosllavisë dhe aty isha unë i pari dhe bëra disa xhirime shumë të rëndësishme. Aty kishte filluar një eksperiencë e imja për xhirimin në luftëra në përgjithësi.

Mirëpo pas Kroacisë, isha ngujuar në Bosnje dy vjet e gjysmë pa ushqim nën bombardime gjatë kohës. Asnjë ditë kur kam fjetur se kam ditur nëse të nesërmen do të zgjohem gjallë.

Kurse në Kosovë, dy masakrat më të mëdha që kanë pasur jehonë botërore dhe që kam pasur rastin t’i xhiroj është masakra e Obrisë dhe pastaj edhe ajo e Reçakut.

Albanian Post: Sipas jush, në këtë 24 vjetor të bombardimeve të NATO-s çka duhet të vlerësojmë më shumë?

Sylejman Kllokoqi: Qëndrueshmërinë, sepse njerëzit e kanë ditur që njerëzit që do të rrinë në Kosovë do të kenë më shumë presion. Por, sidoqoftë ata kanë vendosur të rrinë, tash kuptohet një pjesë kanë qenë të sfiduar edhe janë larguar.

Largimi i tyre kishte filluar pas 10 ditëve të bombardimeve, duke u zgjatur bombardimet represioni ka qenë më i madh. Mirëpo, të tjerët për shkak të frikës edhe janë larguar, teksa shpresoj që asnjëherë të mos përsëritet më ajo çfarë kishte ndodhur.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore