Lajme

Bolton, ish-këshilltar për Siguri Kombëtare në SHBA: Derisa të zgjidhen të gjitha çështjet mes Kosovës dhe Serbisë ka rrezik për konflikt


John Bolton

Përkundër pajtimeve të përkohshme eventuale në mes të Kosovës dhe Serbisë, derisa të mos ketë një të përhershëm që i zgjidh të gjitha çështjet, rreziku për konflikt të mundshëm mbetet konstant, ka thënë për Albanian Post, John Bolton, ish-këshilltar për Siguri Kombëtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës gjatë administratës së Donald Trump.

Bolton, që u përfshi përmbajtësisht në çështjen Kosovë-Serbi sa mbante pozicionin brenda administratës, potencoi se “ky rrezik për konflikt do të jetë i pranishëm derisa të gjitha çështjet të zgjidhen”.

Ish-ambasadori i SHBA-ve në Organizatën e Kombeve të Bashkuara të Amerikës thotë për AP se “mund të vazhdoni ta reduktoni rrezikun”, por kjo prapë s’është e mjaftueshme pasi “jemi në një pikë kur rusët kanë invaduar një shtet jo anëtar të NATO-s, sepse menduan se mund t’ia hedhin paq”.

Ai është i bindur se ky agresion i Rusisë erdhi “bazuar kryesisht në mosreagimin tonë kur sulmuan Gjeorgjinë në vitin 2008, dhe më pas sulmi i parë ndaj Ukrainës në vitin 2014”.

Edhe ai, njëjtë si shumë ekspertë ndërkombëtarë sigurisë, beson se rajoni i Ballkanit është shumë i rrezikuar nga influenca ruse.

“Askush nuk duhet të mendoj se rusët do të jenë të kënaqur me atë që kanë në Ukrainë tani, madje janë shumë të palumtur. Edhe gjithë ajo pjesë e shteteve të ish-Bashkimit Sovjetik vazhdon të jetë në rrezik permanent, siç është Ukraina derisa ky agresion përfundimisht të mposhtet. Por, nëse njerëzit mendojnë se ka pasiguri për atë se cili do jetë rezultati në Ukrainë, kjo do të thotë se ka pasiguri edhe për atë që do të ndodhë në Ballkan gjithashtu. Prandaj, duhet t’i japim fund një herë e mirë, edhe në Ballkan.

Intervistën e plotë të Bolton të publikuar nga Albanian Post mund ta lexoni më poshtë:

Intervistë ekskluzive me John Bolton: BE-ja s’mund ta zgjidhë problemin e Kosovës me Serbinë, propozimi franko gjerman e vazhdon status quon – ja pse isha për shkëmbim të territoreve

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore