Lajme

Bolsonaro nxiti një përpjekje për grusht shteti, pretendon Lula


Presidenti brazilian Luiz Inacio Lula da Silva deklaroi të enjten e 2 shkurtit, se ai ishte “i sigurt” se Jair Bolsonaro ishte organizatori pas sulmit në ndërtesat qeveritare në Brasília më 8 janar, dhe se në këtë mënyrë ai po kërkonte të arrinte një “grusht shteti”.

“Sot jam i vetëdijshëm dhe e them me zë të lartë dhe qartë: ky qytetar (ish-presidenti Bolsonaro) përgatiti grushtin e shtetit”, tha Lula në një intervistë për kanalin televiziv lokal RedeTV!

Më 8 janar, mijëra mbështetës të Bolsonaros, të pakënaqur me fitoren e Lulës ndaj rivalit të tij të ekstremit të djathtë në zgjedhjet presidenciale të tetorit 2022, pushtuan dhe vandalizuan pallatin presidencial, Kongresin dhe Gjykatën e Lartë.

Një gjykatës brazilian ka vendosur të përfshijë ish-udhëheqësin, i cili u largua nga Brazili për në Florida në fund të dhjetorit, në hetimin që synon të përcaktojë se kush qëndron pas plaçkitjes së institucioneve braziliane.

“Jam i sigurt që Bolsonaro ka marrë pjesë aktive në këtë dhe po përpiqet ende të marrë pjesë”, shtoi Lula, i pyetur për rolin e ish-presidentit në këto ngjarje. “Ata donin ta bënin këtë rrëmujë më 1 janar, por e kuptuan se nuk mundën sepse kishte shumë policë dhe shumë njerëz në rrugë”.

Këto deklarata ndërhyjnë në të njëjtën ditë me ato të senatorit Marcos do Val, i cili siguroi se kishte marrë pjesë në një takim me ish-presidentin ku bëhej fjalë për pengimin e ardhjes në pushtet të Lulës.

Sipas avokatëve të tij, Jair Bolsonaro ka aplikuar për të zgjatur vizën e tij gjashtëmujore për të qëndruar në Shtetet e Bashkuara. Ai mohon të ketë ndonjë lidhje me ngjarjet e 8 janarit.

Lula fitoi ngushtë zgjedhjet: 50.9 për qind kundrejt 49.1 për qind për Bolsonaro.

“Ne e kemi mposhtur Bolsonaron, por ende duhet ta mposhtim Bolsonarizmin”, tha në fund Presidenti Lula në një intervistë në televizion lokal.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore