Lajme

Bolsonaro dhe Lula përplasen në debatin e fundit zgjedhor në Brazil


Presidenti i krahut të djathtë të Brazil-it, Jair Bolsonaro dhe rivali i tij i majtë, Luiz Inacio Lula da Silva, u përplasën të premten vonë në debatin e tyre të fundit televiziv.

Kjo, përpara balotazhit të tensionuar zgjedhor të së dielës.

Lajmi u bë i ditur nga agjencia “Reuters”.

Sondazhet sugjerojnë se Lula është favoriti i lehtë për t’u rikthyer për një mandat të tretë.

Nëse do të konkretizohej, ai do të mbyllte një rilindje të jashtëzakonshme politike pas burgosjes së tij për korrupsion që u hodh poshtë.

Por Bolsonaro ia kaloi sondazheve të opinionit në votimin e raundit të parë këtë muaj dhe shumë analistë thonë se zgjedhjet mund të kenë të papritura.

Gjatë debatit të së premtes, figurat thellësisht polarizuese sulmuan karakterin dhe historikun e njëri-tjetrit, akuzuan palët për gënjeshtra dhe refuzuan vazhdimisht t’u përgjigjen pyetjeve të tyre.

Bolsonaro e hapi debatin duke mohuar raportimet se ai mund të shkëpuste pagën minimale nga inflacioni.

Në vend të kësaj ai deklaroi se do ta rriste atë në 1 mijë 400 reai (260 dollarë) në muaj nëse rizgjidhej.

Megjithatë, shumica e analistëve dhe grupeve të fokusit me votues të pavendosur sugjeruan se presidenti kishte bërë pak për të tronditur një garë që sondazhet tregojnë gjerësisht të qëndrueshme që kur Lula kryesoi raundin e parë të votimit më 2 tetor me 5 pikë përqindjeje.

Të dielën, një nga aleatët e Bolsonaro-s hapi zjarr ndaj oficerëve të Policisë Federale që vinin për ta arrestuar.

Një javë më parë Bolsonaro-s iu desh të mbrohej pasi ai tregoi një anekdotë rreth takimit me vajza migrante venezueliane në terma sugjestionues.

Në debatin e tyre të parë kokë më kokë këtë muaj, Lula kritikoi trajtimin e Bolsonaro-s për një pandemi në të cilën kanë vdekur afro 700 mijë brazilianë.

Ndërsa Bolsonaro u fokusua në skandalet e korrupsionit që njollosën reputacionin e Partisë së Punëtorëve të Lula-s.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore