Lajme

Bolsonaro aplikon për vizë turistike gjashtëmujore për të qëndruar në SHBA


Ish-presidenti i Brazilit, Jair Bolsonaro, i cili po hetohet për një përpjekje të supozuar për të rrëzuar qeverinë e vendit, ka paraqitur një kërkesë për një vizë turistike gjashtëmujore për të qëndruar në SHBA.

Ish-udhëheqësi mësohet se ka hyrë në SHBA me një vizë A-1 të rezervuar për krerët e shtetit, e cila do të skadonte të martën, 30 ditë nga përfundimi i mandatit të tij presidencial.

Të hënën, një firmë ligjore me bazë në Kaliforni e njohur për punën e saj me brazilianët tha se Bolsonaro kishte kërkuar një vizë gjashtëmujore për të qëndruar në SHBA.

“Ne mezi presim të arrijmë nivelin më të lartë të kënaqësisë dhe rezultatet e dëshiruara për klientin tonë”, tha në një deklaratë AG Immigration Group.

Bolsonaro u largua nga Brazili për në Florida më 30 dhjetor, dy ditë përpara betimit të rivalit të tij të majtë, Luiz Inácio Lula da Silva.

Luiz Inacio Lula da Silva

Ceremonia vazhdoi pa incidente, por një javë më vonë mijëra mbështetës të Bolsonaro-s sulmuan kryeqytetin dhe shkatërruan ndërtesat e larta qeveritare, duke kërkuar që zgjedhja e Lula-s të anulohej.

Bolsonaro po hetohet nëse ai kishte ndonjë rol në nxitjen e asaj kryengritje.

Për herë të parë në karrierën e tij politike prej më shumë se tre dekadash si ligjvënës dhe më pas si president, ai nuk gëzon më mbrojtjen e posaçme ligjore që kërkon që çdo gjykim të mbahet në gjykatën e lartë.

Llogaritja e Bolsonaro-s duket se është të distancohet nga radikalët, shkatërrimi i të cilëve në kryeqytet mund ta implikojë atë në një afat të shkurtër, me synimin që një ditë të kthehet për të udhëhequr opozitën, tha Mário Sérgio Lima, një analist politik në Medley Global Advisors.

“Ai po i jep pak kohë, duke qëndruar pak larg vendit në një moment kur mund të fillojë të vuajë pasoja ligjore për qëndrimet e mbështetësve të tij”, tha Lima.

“Nuk mendoj se fakti i qëndrimit të tij larg është i mjaftueshëm. Proceset do të vazhdojnë, por ndoshta ai mendon se të paktën mund të shmangë një lloj ndëshkimi hakmarrës”.

Bolsonaro ka qëndruar në një shtëpi jashtë Orlandos, Florida, dhe video e ka treguar atë duke bërë foto me mbështetësit në komunitetin e mbyllur dhe duke ecur brenda një supermarketi.

Pas protestave në kryeqytetin brazilian këtë muaj, një grup prej 46 ligjvënësish demokratë i dërguan një letër presidentit Joe Biden duke kërkuar që t’i hiqet viza Bolsonaro.

Joe Biden

“Shtetet e Bashkuara nuk duhet të ofrojnë strehë për të, apo ndonjë autoritar që ka frymëzuar një dhunë të tillë kundër institucioneve demokratike”, shkruan ata.

Ministri i fundit i drejtësisë i Brazilit, Anderson Torres, ishte gjithashtu për vizitë në SHBA gjatë trazirave dhe u arrestua në kthimin e tij.

Bolsonaro ishte një nga aleatët më të afërt ndërkombëtarë të Donald Trump, një tjetër ish-president që jeton në Florida, i cili ka bërë akuza të pabaza për mashtrime zgjedhore.

Ish-udhëheqësi i kishte thënë më parë “CNN Brasil” se ai kishte planifikuar të kthehej deri në fund të janarit dhe po konsideronte të lëvizte më herët largimin e tij për arsye shëndetësore.

Lideri i ekstremit të djathtë u plagos në një sulm me thikë në vitin 2018. Ai ka pësuar komplikime të vazhdueshme shëndetësore nga ajo tentativë vrasjeje dhe ka marrë kujdes spitalor gjatë qëndrimit të tij në Florida.

Djali i Bolsonaro, një senator, u tha gazetarëve në një ngjarje këtë fundjavë se ai nuk ishte i sigurt se kur babai i tij do të kthehej në Brazil.

“Mund të jetë nesër, mund të jetë pas gjashtë muajsh, ai mund të mos kthehet më kurrë. Unë nuk e di. Ai po pushon”, tha Flávio Bolsonaro.

Departamenti Amerikan i Shtetit ka refuzuar vazhdimisht të komentojë pyetjet në lidhje me statusin e vizave të Bolsonaro në SHBA.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore