Sport

Boksierët nga Kosova ndalohen të garojnë në Spanjë


Pas incidenteve të ndodhura me ndalimin e sportistëve nga Kosova për të garuar në Serbi, duket se dhe në Spanjë ata kanë të njëjtën problematik.

Rasti më i fundit është ai i boksiëreve “daradanë” të cilët janë ndaluar të marrin pjesë në Kampionatin Botëror në Alicane, Spanjë, që zhvillohet nga data 13 deri më 17 nëntor.

Lajmin e bën të ditur vetë Federata e Boksit të Kosovës në mediat sociale.

Ekipi i Kosovës është paraqitur për pjesëmarrje në ketë kampionat dhe ka aplikuar për viza, për  boksieret Taulant Jakupi, Donat Syla dhe trajnerin Besim Brahimi, si dhe gjyqtarin ndërkombëtar Latif Demolli.

Ditën e enjte të 10 nëntorit kanë marrë pergjigje negative për vizat nga ambasada Spanjolle në Shkup.

Federata bën me dije se ka kërkuar sqarime nga Federata Botërore, IBA, për mospaisjen me viza të sportistëve të saj.

Po sipas Federatës së Kosovës, vendimi i ambasadës spanjolle është “i papranueshëm”. Me tej ata shtojne se “politika nuk duhet t’i ndalojë sportistët tanë të marrin pjesë” në turne.

Duke qenë se ngjarja është e përsëritur, Federata e Boksit të Kosovës thekson në deklaratën e lëshuar në mediat sociale se ndihet e “diskriminuar” nga këto veprime.

“Kjo nuk është hera e parë që ne si pjesë e Federates Boterore IBA nuk lejohemi të marrim pjesë në ngjarje botërore si më pare që ka ndodhur në Indi, Serbi, e tash në Spanjë dhe ndjehemi të diskriminuar”, thuhet në deklaratë.

“Boksierët tanë të përfaqësueses janë përgatitur maksimalisht, janë ne formë të mirë dhe është një ëndërr e madhe për ta që të jenë pjesë e ketij kampionati botëror”.

“Ne kemi kërkuar nga IBA që të angazhohet dhe të bëj përpjekje që boksierët tanë të trajtohen në mënyrë të barabartë dhe të kenë të drejtë të marrin pjesë në të gjitha ngjarje e mëdha si të gjithë boksierët e federatave të tjera që janë nën ombrellën e IBA-së”, përfundon njoftimi i federatës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore