Lajme

“Bojkoti i zgjedhjeve nga Lista Serbe”, gazetari gjerman: Marrëveshja s’mund të cilësohet si e suksesshme  


Stephan Israel

Gazetari për çështje evropiane dhe të NATO-s, Stephan Israel, përmes një cicërime në llogarinë e tij në Twitter, beson se përkundër që Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, e shpall si të suksesshme arritjen e një Marrëveshjeje në mes të Kosovës dhe Serbisë, realiteti është ndryshe.

Kjo pasi që Lista Serbe, edhe përkundër arritjes së Marrëveshje bojkotoj zgjedhjet e jashtëzakonshme për katër komunat Veriore që pritet të mbahet më 23 prill.

“Borrelli e shpalli si të suksesshme dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. Por, realiteti është ndryshe. Lista Serbe e cila kontrollohet nga Beogradi ka bojkotuar zgjedhjet lokale në Kosovë”, ka shkruar Israel.

Këto komente ai i bëri përmes një ripostimi të deklaratës së raportueses për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon e cila në një postim në Twitter të enjten ka shprehur zemërimin e saj pas refuzimit të Listës Serbe për të garuar në zgjedhje.

“Ndjej keqardhje për refuzimin e Listës Serbe për të marrë pjesë në zgjedhjet në veri të Kosovës dhe kërkojmë që të dorëzojë listën e saj zgjedhore pa vonesë. Apel për të gjithë aktorët përkatës në Kosovë dhe Serbi që të demonstrojnë përkushtim ndaj Marrëveshjes së 27 shkurtit dhe Aneksit me fjalë dhe me veprime”, shkroi ajo.

Von Cramon po ashtu ka nisur një letër në drejtim të autoriteteve të Kosovës dhe së bashku me deputetin socialdemokrat Thijs Rauten, u kanë bërë thirrje për “fleksibilitet dhe t’i bëjnë thirrje Listës Serbe që të dorëzojë listat e kandidatëve pa vonesë”.

Në letren e Von Cramon-Rauten shkruhet se neni 7 i Planit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i obligon të dyja palët që të sigurojnë një nivel të duhur të “vetëmenaxhimit” për komunitetin serb në Kosovë.

“Zgjedhjet janë një shans kyç për popullin e veriut të Kosovës për të siguruar vetëmenaxhim përmes ushtrimit të të drejtave të tyre demokratike. Mospjesëmarrja në zgjedhje do t’i privonte popullit të Kosovës në veri nga e drejta e tyre që do të punojnë për të ndërtuar një e ardhme më e mirë për komunitetin e tyre”.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetarët e Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit, Zveçanit dhe Zubin Potokut, janë shpallur për 23 prill, pasi kryetarët e Listës Serbe kanë dhënë dorëheqje për shkak të vendimit të Qeverisë së Kosovës për zbatimin e procesit të riregjistrimit të automjeteve nga targat serbe në targa të Kosovës.

Afati për paraqitjen e kandidaturave ka skaduar më 22 mars. Lista Serbe – forca më e madhe politike e serbëve të Kosovës – ka njoftuar se nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet e ardhshme të jashtëzakonshme lokale në komunat në veri të Kosovës.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shkruar në llogarinë e tij në Tëitter, më 23 mars, se refuzimi i Listës Serbe për të marrë pjesë në zgjedhjet lokale është “shenjë e kontrollit të Beogradit mbi partinë dhe e ndërhyrjes së vazhdueshme në punët e brendshme të Kosovës”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore