Sport

Bllokimi i Djokovic-it, Australia thotë se ai nuk po mbahet peng


Novak Djokovic-i nuk po mbahet peng në Australi, thotë një zyrtar i lartë, pasi tenisti serb po përballet me deportim për shkak të rregullave të vaksinimit ndaj Covid-19.

Ylli i tenisit po mbahet në paraburgimin e emigracionit në Melburn, pasi iu refuzua hyrja në Australi të mërkurën.

Ndërkohë që të hënën do të zhvillohet një seancë gjyqësore, për të vendosur se çfarë do të bëhet me Djokovic-in, një javë përpara se të fillojë Australian Open.

Lojtares çeke, Renata Voracova, gjithashtu i është anuluar viza australiane, raportuan mediat lokale të premten.

Tani më shumë pasiguri rrethon turneun që Djokovic-i e ka fituar nëntë herë. Një fitore e 10-të do ta bënte atë lojtarin më të suksesshëm të meshkujve, me 21 Grand Slam.

Djokovic-it, i cili ka thënë se është kundër vaksinimit, i është dhënë një përjashtim mjekësor për të luajtur në turne për arsye të paspecifikuara, në një vendim që zemëroi shumë australianët vendas.

Më shumë se 90% e popullsisë së rritur të vendit janë plotësisht të vaksinuar, por ata ende përballen me kufizime ndërsa rastet e infeksionit rriten.

Përjashtimi i Djokovic-it u dha nga dy panele të pavarura mjekësore të organizuara nga Tennis Australia, organi që drejton ngjarjen, si dhe shteti i Viktorias.

Por të mërkurën, zyrtarët e Forcave Kufitare Australiane (ABF) nuk e lejuan lojtarin 34-vjeçar të hynte në Australi. Qeveria federale ka kritikuar Tenis Australia për injorimin e këshillave të ABF-së në lidhje me kërkesat për hyrje.

Në këtë ngjarje janë përfshirë dhe krerët më të lartë të politikës në Australi dhe Serbi. Kryeministri australian, Scott Morrison, u akuzua për politizimin e çështjes. Në krahun tjetër, presidenti serb, Aleksandar Vucic-i tha për tenistin se ishte viktimë e “ngacmimit” dhe se “e gjithë Serbia” e mbështet atë.

Në një intervistë për “Channel 9”, Ministrja e Punëve të Brendshme të Australisë, Karen Andrews-i, tha për Djokovic-in se “është i lirë të largohet në çdo kohë që ai zgjedh ta bëjë këtë dhe Forca Kufitare do ia lehtësojë”.

Andrews-i shtoi gjithashtu se kishte edhe individë të tjerë, sportist, që kishin shkelur rregullat, por pa përmendur emra.

Ndërkohë, tifozët e Gjokovic-it janë të zemëruar që ai u lejua të shkonte deri në Australi vetëm për t’i thënë se duhej të largohej me një vizë teknike.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore