Kosova

Blinken vlerëson Vuçiç-in, por jo Kurtin – “këto shqetësime lidhen me pozicionin e palës kosovare ndaj Asociacionit”


Ilustrim

Përmes telefonit Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken, e ka lavdëruar të mërkurën presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, për angazhimin konstruktiv me ekipin e SHBA-ve dhe për qasjen e hapur ndaj propozimit franko-gjerman.

Por, nuk e ka telefonuar fare kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, derisa sipas profesorit të Marrëdhënieve Ndërkombëtare, Afrim Hotit, ky fakt “defenitivisht është shqetësues”.

Hoti potencon se nuk do koment që këto shqetësime lidhen drejtpërdrejt me pozicionin e palës kosovare karshi obligimeve të veta ndërkombëtare, “me theks të veçantë për mos ecjen përpara me çështjen e Asociacionit”.

Megjithatë Kurti vazhdon të ngul këmbë se themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe mund të adresohet në kuadër të marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, por në dokumentin non-paper të publikuar ekskluzivisht nga Albanian Post është bërë e qartë se ky synim është i parealizueshëm.

Në anën tjetër, Hoti “ndez alarmimin” se këto janë sinjale që mund të çojnë në përkeqësim të pozicionit të Kosovës në raportet ndërkombëtare.

“Çdo krisje e këtyre raporteve paraqet shqetësim serioz dhe është në dëm të Kosovës”, tha Hoti për Albanian Post.

Afrim Hotit

“Shtetet e fuqishme kanë në dorë shumë mekanizma përmes të cilave mund të bllokojnë dhe izolojnë vende të caktuara. Ne jemi dëshmia më e saktë e kësaj, për faktin se jemi vendi i vetëm në Evropë që nuk kemi liberalizim të vizave, edhe pse kushtet i kemi plotësuar shumë më herët”, tha Hoti.

Sipas Hotit, me këtë qasje të Kurtit, mund të ketë pengesa për anëtarësim të Kosovës në Këshillin e Evropës, “nëse Kosova nuk tregohet e përgjegjshme dhe konstruktive në raport me obligimet e veta ndërkombëtare”.

Ndërsa, profesori i Shkencave Politike, Dorajet Imeri, nuk e sheh si problem këtë çështje.

Madje konsideron se komunikimi politik në mes të ShBA-ve dhe Kosovës është i përditshëm – përmes emisarëve, diplomatëve ose përmes ambasadorit amerikan në Prishtinë.

Tutje, Imeri shprehet se qëndrimi që kryeministri Kurti mbajti në Kuvend është në linjë me atë se çfarë kërkojnë amerikanët për asociacionin.

“Prandaj konsideroj që komunikim vazhdon të zhvillohet në formate të tjera, ndërkaq kam një bindje se së shpejti sekretari Blinken; do ta falënderoj Kosovën për angazhimin e saj në kuadër të dialogut”, potencoi për AP Imeri.

Sipas Imerit, Kosova është e vetëdijshme për rendësin e raporteve me aleatët dhe sigurisht që din se si duhet t’i ruaj miqësitë e saj.

“Partneriteti strategjik me ShBA-të është vital në secilin proces, ka qenë dhe do të mbetet i tillë. Prandaj, konsiderojë që Qeveria e Kosovës bënë mirë që veprimet politike t’i dakordojë me partnerët ndërkombëtarë, në radhë të parë me ShBA-të”.

Dorajet Imeri

Të mërkurën, Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken ka biseduar përmes telefonit me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

Blinken e ka falënderuar Vuçiç-in për angazhimin konstruktiv me ekipin e SHBA-ve dhe për qasjen e hapur ndaj propozimit franko-gjerman.

“Bisedova me presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiç sot për ta falënderuar për angazhimin e tij konstruktiv me ekipin SHBA-BE javën e kaluar dhe për qasjen e hapur të tij ndaj propozimit të BE-së për sigurimin e paqes dhe stabilitetit në rajon, i cili është thelbësor për sigurimin e së ardhmes evropiane të Serbisë”, ka shkruar Blinken në Twitter.

Gjithashtu edhe këshilltari i lartë në Departamentin amerikan të Shtetit Derek Chollet, njoftoi për një takim me ministrin e Jashtëm serb – të cilin e konsideroi rikonfirmim të miqësisë mes dy shteteve.

Ndërsa, sa i përket institucioneve të Kosovës, nuk është njoftuar për ndonjë bisedë apo takim me zyrtarët amerikan.

Nga Kosova takime me zyrtarët amerikan në ShBA, janë zhvilluar nga partitë opozitare.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore