Lajme

Blinken: NATO largohet bashkë me ne nga Afganistani


Koalicioni i trupave ushtarake të NATO-s do të largohet nga Afganistani, së bashku me ato amerikane, më 11 shtator 2021.

Lajmin e ka bërë të ditur Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, pas një takimi të zhvilluar midis vendeve anëtare të aleancës, në Bruksel.

Rreth 7 mijë trupa jo amerikane të NATO-s dhe nga vende të tjera, si Australia, Zelanda e Re apo Gjeorgjia janë më të shumtë se 2 mijë e 500 trupat amerikane. Gjithsesi, ata mbështeten në suportin amerikan për trajnime dhe misione.

“Është koha që vendet jo anëtare të NATO-s të kryejnë detyrat e tyre në Afganistan”, deklaroi Blinken-i.

“Jam këtu për të punuar pranë aleatëve. Me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, mbi principin që kemi aplikuar që prej fillimit: “Jemi bashkë, adaptohemi bashkë, për të përbashkëtën”.

Ndër të tjera, Blinken-i shtoi se “në muajt deri përpara tërheqjes, do të punohet mbi tërheqjen e sigurt të ushtarëve”.

Këtë, ai e tha, duke qëndruar pranë Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg.

Planet e mëtejshme do të diskutohen midis ministrave të Mbrojtjes të vendeve anëtare në një video-konferencë. Asnjë aleat gjithsesi, nuk pritet të kundërshtojë vendimin e amerikanëve.

11 shtatori – një datë tashmë historike për SHBA-në falë sulmit terrorist të kullave binjake në 2001-shin – do të jetë edhe një çast po aq historik për tërheqjen e trupave amerikane nga Afganistani.

Trupa, që qëndronin në Lindjen e Mesme pikërisht prej vitit 2001. Dy dekada më pas, ata nuk do të jenë më të pranishëm në Afganistan fizikisht.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore