Lajme

Blinken letër Vuçiç-it: SHBA do njohje të Kosovës nga Serbia


Antony Blinken, Sekretari Amerikan i Shtetit

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ia ka rikujtuar presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, se njohja reciproke mes Kosovë dhe Serbisë është synim i vjetër amerikan.

Në një letër të Blinken për Vuçiç, sekretari amerikan i Shtetit shkruan se “qëllimi i kamotshëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës është ta shoh Serbinë dhe Kosovën të arrijnë një marrëveshje të përbashkët me qëllim njohjen reciproke”.

Blinkën më pas në letër shkruan se e kupton vështirësinë e këtij hapi, por që përkundër se i vështirë, është i domosdoshëm.

“Kjo do të kërkojë fleksibilitet, mendime përparimtare, dhe vullnet nga të gjitha anët për kompromis. Normalizimi i plotë i marrëdhënieve do ta avancojë të ardhmen evropiane për të gjithë rajonin”, shkruan Blinken në letrën që vinte si përgjigje e asaj që më herët i kishte shkruar Vuçiç atij, për ta uruar për postin e rëndësishëm në administratën e re amerikane.

Amerikani i ka shkruar Vuçiçit edhe se Amerika e do Serbinë “demokratike, stabile dhe me prosperitet në shtegun e saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian”.

Kurse, krejt në fund, poshtë nënshkrimit, Blinken i ka lënë edhe një shënim Vuçiçit shkruar me dorë – diçka jo e zakonshme në letra të kësaj natyre.

“I mbaj mend të gjitha bisedat tona të mira dhe po pres t’iu kthehemi atyre”, thuhet në shënimin pranë nënshkrimit të Blinken.

Letra e amerikanit i ka pëlqyer Vuçiç-it. Përveç pjesës ku kërkohet njohje reciproke, presidenti serb e ka konsideruar letrën si “thelbësore dhe të mirë” në aspektet e tjera.

Veçanërisht Vuçiç tha se shënimi me shkrim dore “është një lajm i rëndësishëm”.

Letra e Blinken për Vuçiç u bë publike nga vetë presidenti serb dhe më pas u publikua nga mediat në Serbi.

Letrës së amerikanit i ka reaguar edhe ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti.

Ai ka shkruar në llogarinë e tij në Facebook se kërkesa për njohje të Kosovës tregon “miqtë e vërtetë të Kosovës”.

Prandaj, sipas Hotit, “duhet ta ruajmë miqësinë speciale me SHBA-të”.

Letra e Blinken për Vuçiç ku i kërkohet njohja e Kosovës

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore