Lajme

Blinding Lights bëhet kënga më e dëgjuar në historinë e Spotify


Për artistin kanadez Abel Tesfaye, i njohur në art si The Weeknd, viti 2023 nuk mund të hapej në mënyrë më të mirë, pasi hiti i tij Blinding Lights, është bërë zyrtarisht kënga më e dëgjuar në historinë e platformës muzikore Spotify.

Rekord, të cilin më parë e mbante këngëtari Ed Sheeran me Shape of You.

Kështu, ai thyen edhe një rekord tjetër – ndër të paktit që kjo këngë ende nuk i ka arritur – pasi mori edhe titullin si “hiti më i madh i të gjitha kohërave” nga revista prestigjioze amerikane Billboard, e cila e dha këtë vlerësim për Blinding Lights, duke parë qëndrimin për 90 javë që mbajti në renditjen amerikane të këngëve dhe duke zbritur nga froni The Twist.

Blinding Lights është pjesë e albumit After Hours, të cilin muzikanti e ka publikuar në mars të vitit 2020, në kulmin e pandemisë, por që rroku sukses të menjëhershëm në gjithë botën.

Ndër të tjera, The Weeknd është shpallur nga Billboard edhe si artisti më i mirë i dekadës së viteve 2020 deri tani, duke lënë pas emra të njohur si Drake, Taylor Swift, Harry Styles apo Beyonce.

Sa i përket platformës Spotify, The Weeknd po ashtu e mbylli vitin 2022 si artisti më i dëgjuar aty, me mbi 91 milionë dëgjuar mujorë.

Blinding Lights, vitin 2020 e mbylli – me një shifër ende jo zyrtare – prej 3.31 miliardë dëgjimesh prej lëshimit të saj.

Në këtë vit që ai e hap me rekord, The Weeknd pritet të përmbyllë edhe pjesën e dytë të turit të tij global, e cila përfshin gjithë Evropën dhe Amerikën e Jugut. Kjo, pas suksesit të jashtëzakonshëm që korri në turin e Amerikës së Veriut, ku they disa rekorde me rëndësi për fitimet e gjeneruara.

Teksa dashamirësit presin ende muzikë të re nga ai, një album tjetër (përmbyllje e sagës pas After Hours dhe Dawn FM me një pjesë të tretë) duket i largët.

Por, ai ka vijuar të nxjerrë këngë në vazhdimësi, siç ka qenë bashkëpunimi me Metro Boomin dhe 21 Savage, Creepin, një risjellje e hitit I don’t wanna know nga Mario Winans, apo edhe kolona zanore e filmit të ri Avatar – The Way of Water, me titull Nothing is Lost.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore