Shqipëria

Bledi Çuçi të japë dorëheqjen, reagon Balliu pas vrasjes së trefishtë në Tiranë


Klevis Balliu, shefi i organizimit në Partinë Demokratike, ka reaguar lidhur me ngjarjet tronditëse të ndodhura këtë 1 mars në Tiranë, ku mbetën të vrarë tre persona dhe u plagosën tre të tjerë.

Ngjarje këto, që dyshohet se janë kryer nga i njëjti autor, shtetasi Dan Hitra.

“Ministri i Rendit pa rend duhet të japë dorëheqjen”, ka thënë ai duke iu referuar ministrit të Brendshëm Bledi Çuçi.

“PD-ja kërkon marrje dhe mbajtje përgjegjësish. Gratë dhe vajzat e Shqipërisë nuk mund të vriten rrugëve. Shteti duhet të kontrollojë territorin dhe të bëjë zap kriminalitetin, ose të hapë rrugën. Gjykatat duhet të kuptojnë se vendimet e tyre shpëtojnë ose kushtojnë jetë, ose të dorëzojnë togat”, ka vijuar ai.

Sakaq, Balliu u ka drejtuar thirrje qytetarëve të kenë kujdes, duke qenë se policia ende nuk ka arritur ta lokalizojë apo neutralizojë autorin e dyshuar të masakrës së Paskuqanit dhe Astirit.

Sipas tij, autori i dyshuar Hutra është liruar nga arresti me burg, dhe gjykatat në reagimet e tyre nxitojnë në të heqin fajin nga vetja.

“Pyetja dramatike mbetet: kush dhe pse e liroi nga qelia një person qartësisht të rrezikshëm, i cili jo vetëm kishte vrarë bashkëshorten e pare, por kishte kërcënuar jetën edhe të bashkëjetueses”, vijon Balliu.

Po ashtu ai ka thënë se “si një kërcënues serial i jetës së të tjerëve, një i dënuar me burgim për vrasje, ai është sot një feminicid, i pari i këtij lloji ndoshta në historinë e Shqipërisë”.

Te ky vrasës serial femrash, sipas tij, ka gisht “sistemi i kalbur i ligjvënies në Shqipëri”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore