Film

Black Panther jeton, por jo në universin Marvel


Nuk është e lehtë të të shkatërrohet një dinasti, mbi të gjitha në filmat me superheronj si ata të Marvel.

Aq më tepër, kur tragjedia godet aktorin kryesor të asaj çfarë gjithë universi Marvel kishte projektuar të ishte narrativa e të ardhmes dhe ajo më e rëndësishmja ndër të gjitha.

Megjithatë, Chadwick Boseman (Black Panther) jeton në të dhe i gjithë “Wakanda Forever” është një lloj homazhi për të. Një homazh për një personazh, të cilit ende nuk jemi gati t’i themi lamtumirë ose ta zëvendësojmë, edhe pse ai nuk është më mes frymorësh.

Prit…

Në fakt “Black Panther” është gati t’i japë lamtumirën Chadwick Boseman-it.

Wakanda Forever, është vetë lamtumira!

Pjesë e vendosur në universin Marvel – por krejtësisht jashtë atij realiteti të krijuar – Black Panther është vizion i qartë i asaj çfarë duhet të ishte vijimësia e gjithë rrjedhës ngjasore, të cilën edhe dashamirësit e këtyre filmave kërkojnë.

Me klimaksin e arrirë në fund të Avengers Endgame dhe me një botë ku më nuk është frika ndaj Thanos-it por hyjnive të mirëfillta, edhe Wakanda e ka të vështirë të përshtatet, sidomos me humbjen e mbretit të vërtetë, T’Challa.

Shuri në fakt, motra e tij, është epiqendra e gjithë rrëfimit, pasi humb literalisht gjithçka në botë dhe objektivi i saj i vetëm dhe i finalizuar, është ai i të vijuarit trashëgiminë e panterës së zezë, gjë të cilën e bën përmes aftësive të saja të jashtëzakonshme në shkencë.

E për çfarë?

Që në fund, autorët, t’i thonë se ndoshta vend për të, që të jetë personazh kryesor, mund të kishte vetëm për rreth 40 minuta në film, pasi nipi i saj – Po! “Spoiler Alert”! T’Challa ka pasur një fëmijë me Nakian (e cila rikthehet jashtëzakonisht mirë nga aktorja Lupita Nyong-o – do t’ia marrë vendin me shumë mundësi në instilacionin e ardhshëm.

Por thënë këto, është e paarritshme ajo çfarë Black Panther arrin të bëjë me diversitetin kulturor e racor që sjell në ekranin e madh, ku gjen përfaqësi gjithkush (edhe ‘të bardhët ultra të këqinj – ‘fuqitë e mëdha’).

Ngritja e realiteteve virtuale në brendësi të rruzullit tokësor, me trashëgimi të tilla si ato të fiseve të Aztek-ëve, Maya-ve apo Inca-ve në Amerikën e Jugut, janë të ndërthurur krejtësisht bukur në Wakanda Forever.

Bota paraqitet e tillë si është, me mesazhe të forta kundër kolonimizit, vjeljes së resurseve natyrore nga super shtetet apo edhe diskriminimit racor në tërësi.

Vetë ndarja klasore në Wakanda është e shpalosur shumë më mirë, kur në filmin e parë u shterua më së shumti çështja elitare, se sa ajo qytetare.

Por prapë…

Nuk është më dinasti e njëjtë pa Chadwick Boseman. As nuk do të jetë, sado të pretendojmë.

A është po aq e mirë? Ndoshta jo?

Po aq e vlefshme? Thelbësisht po!

Black Panther jeton dhe frymon më mirë nga gjithë universi Marvel i marrë së bashku, i cili së fundmi e ka harruar suksesin e vërtetë, qoftë edhe në arkëtimet e kinemasë, e jo më në rangun e kritikëve të filmit.

Mirëpo gjithë këtë, e bën kur lidhje me Marvel-in nuk ka dhe si i tillë, ai duhet parë…të paktën deri kur të kemi T’Challa-n e ri, atë të rriturin.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore